Loe raamatut: «Kriteri I Leibnizit»

Font:

KRITERI I LEIBNIZIT

Maurizio Dagradi

Përkthimi i Lata Bejusha

Parathënie

Askujt nuk i pëlqen të lexojë parathëniet, përfshirë edhe mua, prandaj po i bie shkurt.

Qëllimi i këtij libri është të kontribuojë në hapjen e mendjes së shumë personave skeptikë, të cilët nuk e ndiejnë në mënyrë instiktive që universi gëlon nga jeta, ose që akoma nuk janë përballur me këtë problem.

Kush ka provuar t’u shpjegojë atyre në mënyrë pak a shumë të argumentuar, apo shkencore, pak a shumë filozofike siç duhet të jetë në të vërtetë çështja, do ketë kuptuar patjetër që numri i njerëzve që ka bindur seriozisht është qesharak, në krahasim me subjektet e pyetura. Nuk e di pse; nuk e di nëse ka lidhje me trashëgiminë gjenetike, apo me informacionet me të cilat njeriu ka qenë në kontakt në fëmijërinë e hershme, apo diçka tjetër. E vërteta është që kjo situatë tragjike është degraduese për racën njerëzore, e cila është veç njëra nga racat e tjera të shumta të shpërndara në univers.

Më pëlqen të mendoj që në këtë çast dikush tjetër i zhgënjyer dhe mendjemadh si unë është duke shkruar një parathënie të ngjashme për një libër të ngjashëm, mbi planetin e parë Epsilon Eridani, duke u përpjekur të bindë lexuesit e tij që mund të ketë edhe raca me vetëm dy këmbë dhe dy krahë, e që ndoshta nuk thithin formalinë të lëngshme.

Pas-parathënie

Nëse keni arritur deri këtu, ju dua. Ju dua sepse e keni tashmë Shkëndijën ose doni Ta ndizni atë.

Ndërkaq, iu thoni lamtumirë atyre që nuk mbërritën deri këtu, dhe tani po më mallkojnë me ofendimet më gjakatare dhe degraduese që fjalori i tyre mban. Ata do të shkojnë në dyqanin ku të shkujdesur kanë blerë këtë libër të shkretë, do ta përplasin mbi banak dhe do kërkojnë t’ju kthehen paratë ose të ndërrojnë librin me ndonjë tjetër, duke i treguar të punësuarit fatkeq indinjimin e tyre mbi faktin që një botues ka patur shijen e keqe të publikojë një mbeturinë të tillë. Këta individë nuk do të jenë asnjëherë kolegët tanë në besimin ndaj një të Vërtete që, nëse ndonjëherë ka patur një të tillë përtej fesë që ta meritonte, kërkon një Akt Besimi.

Prolog

Helikopteri ushtarak qëndronte në ajër nja dhjetë metra lartësi mbi kënetën vjekjeprurëse, me elikën e bishtit që ndonjëherë bllokohej duke mos lejuar që trupi i tij të fillonte të rrotullohej në drejtimin natyral, në të kundërt të drejtimit të elikës kryesore. Pastaj pasi elika fillonte të punonte menjëherë helikopteri arrinte një ekuilibër delikat me lëkundje të frikshme deri herën tjetër, që mund të ishte edhe e fundit. Pa elikën e bishtit helikopteri do rrotullohej rreth vetes dhe çdo mundësi për të zotëruar mjetin do të zhdukej.

Në kabinë, piloti luftonte për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe pozicionin, duke zbatuar komandat me një delikatesë dhe saktësi që binte ndesh në mënyrë dredharake me kushtet e tij të përgjithshme: nga shpatulla e majtë i dilte një copë xhami që vinte nga xhami mbrojtës i kabinës, i ngulur të paktën pesë centimetra në mishin e butë; përreth plagës veshja e fluturimit ishte ngjyer në gjakun që po përhapej me shpejtësi drejt krahut dhe kraharorit të burrit. Copa të tjera xhamash ishin përhapur mbi gjunjët e tij dhe mbi dyshemenë e kabinës.

Në të djathtë të tij, piloti i dytë prehej i kthyer përmbys, i lidhur në ndenjëse, me qafën të shqyer nga një copë xhami. Gjaku gurgullonte vrullshëm nga karotidja e copëtuar, pompuar pa ndalesë nga zemra e çoroditur.

Komandanti po përpiqej të mbante helikopterin të qëndrueshëm në një pikë të qëndrueshme, por që të bënte këtë duhej të përdorte vetëm referime pamore, pasi kur xhami mbrojtës i kabinës ishte goditur dhe ciflat i kishin sulmuar, duke parë plagën e shokut të tij ai kishte vjellë mbi panelin e kontrollit, dhe tashmë pothuajse të gjitha pajisjet ishin mbuluar me një lëng të verdhë dhe ishin plotësisht të padukshme. Me elikën e bishtit përfundimisht të pabesë, nuk mund të shkëpuste as njërën dorë nga komandat qoftë dhe për ato pak sekonda që do i nevojiteshin për të pastruar mjaftueshëm pajisjet më kryesore.

Pikat e tij të vetme të referimit tani ishin horizonti i largët, në të cilin mbizotëronte një ngjyrë vjollcë, jonatyrale, muzgu i këtij vendi të mallkuar, dhe zabeli i errët, në të majtë të tij, nga i cili kishin mbirë pak minuta më parë anëtarët e tjerë të ekspeditës.

Në dhomën e ngarkesës, pas kabinës së pilotimit, dy ushtarë ishin shtrirë përtokë në pozicione të deformuara, si dy thasë me patate hedhur ashtu si rastësisht. I pari ishte i fuqishëm, me një trup mesatar, me flokët të zinj dhe me mjekër të parruar prej ditësh. Këmba e majtë ishte pllakëzuar për të mbajtur drejt femorin e thyer; pantallonat ishin të prera dhe çizmja e hequr. Gjithë këmba ishte e mbuluar në gjak të ngrirë. Burri ishte i pavetëdijshëm për gjakderdhjen që pasoi nga fraktura e deformuar. Rahjet e zemrës së tij ishin të lehta dhe të ngadalta, trupi ishte i ftohtë, me një zverdhje vdekjeje.

Ushtari i dytë ishte nje grua. Kishte flokë të verdhë, të shkurtër, të ngrira nga gjaku i dalë nga një plagë e madhe në kokë sipër mbi veshin e majtë. Një copë lëkure me diametër të paktën prej gjashtë centimetra mungonte plotësisht, me gjithë flokët, dhe ky shëmtim dukej absurd përballë linjave të ëmbla të vajzës, me nofulla të rrumbullakta, me një mjekër të vogël, me hundën me majë dhe buzët mishtore. Sytë i kishte të mbyllur por qepallat lëviznin me goditje, edhe pse pa u hapur. Buzët i dridheshin, sikur bënin një bisedë të heshtur, dhe trupi përshkohej nga ethe dhe temperaturë e lartë.

Uniformat e të dyve ishin plotësisht anonime, të privuara nga çdo lloj shenje dalluese. Asnjë etiketë me emër, asnjë gradë, asgjë që të mund ti identifikonte. Këta të dy ishin SAS, Special Air Service, njësia e forcave speciale më e stërvitur në botë. Ata ishin luftëtarë të niveleve të larta, të përgatitur të veprojnë dhe të mbijetojnë në kushte të pamundura, në çfarëdo lloj klime ndaj çdo lloj armiku, të shpejtë, efikasë, vjekjeprurës. Misionet e tyre ishin gjithmonë sekrete, prandaj identiteti i tyre duhej të ishte i errësuar.

Dhe tani ishin të paaftë dhe të shkundur andej-këtej pas çdo lëkundje të helikopterit, ndërsa e vetmja gjë që i shpëtonte nga rënia nga helikopteri ishte një litar i lidhur me rripin, i shtrënguar me një dorezë të dhomës së ngarkesës.

Armët në bord ishin plotësisht të zbrazura, përfshirë edhe armën më të re me plazëm që tani varej gjysëm e shkrirë prej mbajtëses së saj, poshtë barkut të helikopterit. Ishte prototipi i parë, dhe nuk ishte parashikuar që të gjuante pa ndërprerje për një periudhë të gjatë. Dhe e gjitha kjo vetëm për të arritur në pikën e kontaktit dhe për të ruajtur pozicionin.

<Adams! Gati për të zbritur!>, thirrja mbërriti e fortë dhe e qartë në kufjet e pilotit.

Pikërisht në atë moment elika e bishtit pati një tjetër hezitim por ai e morri menjëherë në kontroll mjetin, ndërsa përgjigjej:

<Gati, Zotëri!>

Poshtë helikopterit, në legenin e formuar nga vorbullimi i topave mbi ujin e qelbur, tre figura të grupuara në mënyrë të ngjeshur ishin përfshirë nga fluksi ciklik i ajrit që përplasej dhunshëm mbi ta.

Majori Camden po gjuante pa ndërprerje drejt zabelit me mitralozin statik, duke e mbajtur me krahë pavarësisht pamundësisë. Arma ishte e nxehtë dhe shumë e rëndë. Ushtari kërcëllinte dhëmbët ndërsa e shtrëngonte me duart e djegura, gishti i ngjeshur tek këmbëza, sytë të injektuar me gjak që shprehnin një urrejtje të egër, të pashuar, që shndërrohet në një përrua plumbash të vjellë jashtë nga gryka e zezë e kësaj vegle vdekjeje. Camden ishte mbuluar me gjak nga koka në këmbë, pjesërisht nga disa plagë sipërfaqësore në kraharor dhe në krahë, por më tepër nga gjaku i shokëve të tij të plagosur, që i ishte dashur ti ndihmonte dhe tërhiqte deri në pikën e takimit.

<Major!>

Camden mezi dëgjonte vajzën që bërtiste për të superuar goditjet e çekiçta të mitralozit. Me këmbët e ngulura mirë në llumin e kënetës, ajo kishte kapur nga sqetullat një djalë që, i kishte rënë të fikët, me lëkurë të errët, që ishte shtrirë me fytyrë lart dhe gjysma e trupit ishte e zhytur në ujë. Koka e tij varej inerte, goja gjysmë e hapur, sytë të mbyllur. Nga një plagë e madhe në bark dilnin pjesë të organeve të brendshme.

Vajza vështronte me dëshpërim nga zabeli, pastaj nga djali i plagosur, pastaj nga majori që vazhdonte të gjuante. Ishte në kufij të fuqive, flokët e zinj i ishin ngjitur në kokë nga djersa dhe nga pisllëku që mbulonte gjithë trupin e saj ngjyrë çokollatë, të cilin e mbulonin rrobat e zhytura në baltën me erë të keqe.

<Major!> thërriti përsëri, me një britmë histerike.

Camden iu përgjigj duke bërtitur nga ana tjetër, pa pushuar së vjelluri zjarr drejt pyllit.

<Tani jemi goxha në avantazh që të ulim helikopterin! Adams! Tani!>

<Roxher1, Zotëri!>

Adams filloi uljen, por kur arriti afërsisht në kuotën e gjashtë metrave elika e bishtit u prish dhe helikopteri filloi të rrotullohej. Më kot piloti u përpoq të ndizte elikën, duke manovruar në të njëjtën kohë për të tentuar të ngrihej lart.

<Urgjencë, urgjencë! Largohuni!> bërtiti Adams.

Camden përgjoi me bisht të syrit helikopterin që ishte jashtë kontrollit dhe e kapi rrufeshëm situatën. Nuk kishte kohë për t’u larguar, dhe në çdo rast të shtypeshe nga helikopteri që po rrëzohej ishte patjetër më e preferueshme sesa fati i egër që po iu arrinte nga pylli. Mbi fytyrën e tij u pikturua një ngërdheshje qesharake dhe shikimi i tij u ndez nga një dritë djallëzore, shprehja e një njeriu që shikon në fytyrë vdekjen e tij, dhe sfida. Vazhdoi brutalisht të godiste drejt errësirës, pa ndjerë më as dhimbjen e hekurit inkandeshent dhe peshën e armës.

Edhe vajza e kuptoi.

<Jo!> thirri e dëshpëruar, me gjithë forcën që i kishte mbetur.

<Jo, jo, jo! Jo tani!> U ankua e tronditur. <Shumë afër, shumë afër… pse?! Pse?!>Uli shikimin mbi djaloshin e plagosur, dhe një pështjellim i madh i mbushi shpirtin. Ishin një hap larg vdekjes tashmë.

Zemra e saj rrahu fort.

Dhe në këtë çast të tmerrshëm, ndërsa mbante të dashurin e saj, me helikopterin që mund ta shtypte nga një çast në tjetrin, me rropëllimën e mitralozit që i dridhte gjymtyrët, dhe me këmbët të zhytura deri në mes të kofshëve në ujin e qelbur, mendimi i saj shkoi tek ajo që kishte përjashtuar prej shumë kohësh, duke e vulosur në një kënd të errët të kujtesës.

Ngriti fytyrën nga qielli, dhe me lotët që vijëzonin mollëzat e fshikulluara nga era pulsuese që shkaktonte helikopteri në avari, filloi të lutej:

<Ati ynë, që je në qiej, u shenjtëroftë Emri yt, ardhtë Mbretëria jote, u bëftë Vullneti yt, si në qiell, ashtu dhe në tokë…>

Pjesa e Parë

“Je me ne, Ryuu,

je me ne.

Çdo natë do vijmë tek ti në det të zi,

dhe e dimë që ti atje na pret

me krahët e tu të fortë.

Mbi varkë do ngjitesh sishkuma e valës

e përbri nesh,bashkë me ne dotërheqësh rrjetat,

si netëve të kaluara,

kur sytë dhe buzëqeshja jote

na lumturonin të përballeshim me stuhinë.”

Noboru

Kapitulli I

Gjithçka filloi ashtu rastësisht, siç ndodh shpesh në këto raste.

Nxënësi Marron po përgatitej të vinte në vend veglat në një banak në një nga laboratorët e fizikës të Universitetit të Manchesterit, duke mërmëritur i mërzitur pasi për këtë gjë e kishte detyruar profesor Drew që po dilte për të shkuar në shtëpi.

<Rregullo eksperimentin tim, Marron, para se të largohesh, sidoqoftë nuk funksionon!>, e kishte urdhëruar.

Vallë nuk mund të pritej mëngjesi për këtë? Tashmë ishte darkë vonë, kush dreqin mund të vinte të kontrollonte nëse laboratorin e kishin lënë në rregull?

<Bah!>, psherëtiu i dorëzuar Marroni, <Jeta e fizikës kalon edhe përmes nazeve të profesorëve të vjetër.>

Kishte mbështetur paninen e tij me proshutë mbi një pllakëzë çeliku që ishte pjesë e eksperimentit, pasiqë kishte hedhur poshtë mbështjellësen e saj para urdhërit të Drew-së, dhe ajo pllakëz ishte e vetmja gjë e pastër në atë laborator, për momentin.

Sa po bëhej gati të merrte pajisjet e para të laboratorit kur macja e laboratorit, një mace leshatore ngjyrë portokalli, me një kërcim të rrufeshëm u hodh nga ballkoni, eci drejt tastierës së kompiuterit, preku pjesën e sipërme të panines, shtyu me këmbë disa matësa mikrometrikë dhe në fund u hodh në dysheme. E gjitha kjo ndodhi në të qindat e sekondës.

Marroni nxorri një klithmë të çjerrë dhe filloi të ndjekë macen, e cila në një çast u fsheh në majë të raftit më të lartë të laboratorit.

Nxënësi arriti furishëm tek këmbët e raftit, duke tundur grushtat në drejtim të maces duke e bërë objekt të komplimenteve aspak bamirëse, pastaj, si njeri i arsyeshëm që ishte, vlerësoi që energjia e kërkuar për një kapje jo të sigurtë të asaj që iu morr ishte më e madhe se energjia që ajo vetë do i jepte, prandaj vendosi të heqë dorë, duke menduar se në njëfarë mënyre, kështu, dilte i fituar. I hodhi një shikim fajësimi të fundit maces dhe iu kthye banakut.

Kur u gjend përpara mbeturinave të panines së tij të gjorë dhe e vëzhgoi, papritur u bllokua dhe, dora dorës që vetëdija bënte përpara në mendjen e tij, hyri gradualisht në një lloj ekstaze, me sytë të hapur, të përhumbur, të ngulur në panine, djersë të ftohta që i niseshin nga balli dhe i binin me shumicë përgjatë trupit, tashmë i mbytur nga vetë djersët e tij, rrobat të qullura, duart që i dridheshin, mushkëritë po mësynin në kërkim të dëshpëruar për ajër.

Drejt qendrës së panines ose, pak më lart djathtas, një pjesë e panines mungonte, dhe kjo pjesë nuk kishte një formë dosido, për të cilën mund të mendoje natyrshëm që macja e kishte marrë bashkë me gjërat e tjera. Jo, ishte një racion i gjatë rreth katër centimetra, i gjerë rreth një centimetër dhe i valëzuar në mënyrë paralele përgjatë anëve të gjata, atyre horizontale.

Nuk kishte shenja djegjeje, thërrime apo mbeturina të çfarëdo lloji, aroma apo avuj djegjeje. Thjesht, ajo pjesë e panines nuk ishte më.

Ajo copë e vogël e formuar panineje ishte ‘zhvendosur’?, ‘shpërbërë?’, ‘…ç’farë?’

Në mendjen e Marronit kaluan me shpejtësinë e rrufesë të gjitha hipotezat që njihte, ortodokse dhe jo, dhe ndërkaq katalepsia filloi të largohej nga ai, frymëmarrja iu kthye progresivisht në normalitet dhe ai u kthye në realitet.

Marroni sigurisht që nuk e dinte, por Historia Njerëzore ishte para një zhvillimi thelbësor.

Tani.

Përgjithmonë.

Kapitulli II

Duke bërë shumë kujdes që të mos përplasej aspak me banakun, dhe duke mbajtur në të njëjtën kohë shikimin tek macja, e strukur mbi raft nja dhjetë metra largësi me synimin për të marrë fetën e bukës, Marroni lëvizi drejt telefonit të instaluar në murin pas tij. U përpoq të kujtonte numrin e telefonit të shtëpisë të Drew-së: një herë e kishte telefonuar për një paqartësi në detyrat e shtëpisë. Mbaronte me 54 apo 45?

<Oh, në djall vaftë!>

Formoi numrin e parë dhe, pas një pritjeje të shkurtër, profesori u përgjigj në telefon:

<Kollitje!…Urdhëro.>, profesori ishte ftohur.

<Profesor jam Marron, mendoj që është më mirë që ju të vini shpejt në laborator, ka diçka që duhet ta shikoni dhe…>

<Marron!>, e ndërpreu pa shumë ceremoni Drew, <Shiko se kam patur një ditë shumë të keqe sot: rektori më komunikoi që fondet për laboratorin tonë janë pakësuar me dyzet për qind, dhe …kollitje… për më tepër duket se dhe këtë vit nuk do më lënë të dal në pension. Shpresoj që të bëhet fjalë për një gjë shumë, shumë të rëndësishme!>

<Epo, profesor, besoj se nëse nuk e doni ju, Nobelin do ta mbaj për vete.>

<Ç’farë po flet, Marron? Nuk kam kohë për të humbur me shakara!>

Marronit nuk i bëri përshtypje.

<Është eksperimenti juaj, profesor. Prodhon një efekt që …>

Nxënësi perceptoi një trazirë të shpejtë dhe, pak sekonda më pas, dëgjoi një derë të përplasej. Mund të dëgjonte akoma zhurmat e shtëpisë së Drew-së. Televizori ishte ndezur dhe llomotiste pa kuptim si zakonisht. Profesori as nuk u kujdes që të mbyllte telefonin.

Marroni po i bënte roje eksperimentit, duke mbajtur gjithmonë në kontroll macen për të evituar një sulm të dytë që me siguri do të kishte patur pasoja shkatërrimtare. Kafsha po hante paninen me kafshata të vogla, por pas çdo kafshate ushqimi pakësohej pashmangshmërisht, dhe macja fillonte të shikonte me trishtim banakun.

Drew nuk po vinte.

Marroni mallkoi veten që nuk i jepte kurrë për të ngrënë asaj maceje, por ai e dinte që merreshin nxënësit e tjerë. Ajo që nuk dinte ishte që atë ditë ata nxënës kishin shkuar në një seminar dhe nuk i kishin dhënë për të ngrënë maces, të bindur që do merrej Marroni me këtë gjë.

Macja ndërkaq kishte mbaruar paninen dhe po shtriqej, duke parë me vëmendje banakun. Marroni filloi të djersijë, i pasigurtë për të vepruar, kur dëgjoi zhurmën e një dere të përplasur dhe të një ecjeje të shpejtë në korridorin e hyrjes për në laborator.

Dera u hap dhe papritur Drew hyri brenda. Sapo futin kokën brenda shikimi i tij përfshiu gjithë skenën dhe vlerësoi rrufeshëm gjendjen: Marroni rrinte i palëvizur përpara banakut, me sytë të fiksuar tek macja që dukej se seriozisht kishte ndërmend të kafshonte një panine të mbështetur në piastrën e eksperimentit, i cili dukej ende i montuar.

Drew kishte një marrëdhënie të mirë me macen dhe e zgjidhi udhëkryqin shumë thjesht:

<Niels! Përjashta!>

Pas asaj komande të thatë, macja që mbante një emër2 të rëndësishëm doli menjëherë nga dritarja e laboratorit, gjithmonë paksa e hapur në mbrëmje për të lejuar ajrosjen.

Marroni lëshoi një psherëtimë lehtësimi dhe filloi të ç’tensionohej. Shkoi të mbyllte dritaren dhe filloi t’i tregonte profesorit. I rrëfeu faktet kryesore, pasi fizikantët janë njerëz sintetikë, dhe përfundoi hipotezën e tij:

<Besoj se macja ka gjetur rastësisht një rregull kritik të eksperimentit, i cili prodhon një efekt zhvendosjeje ose shpërbërjeje të lëndës së vendosur në pllakëz. Nuk gjej shpjegime të tjera, për momentin.>

Gjatë kohës të tregimit, Drew kishte vëzhguar eksperimentin, kishte thithur gjithë vlerat e vendosura në kompiuter dhe rregullat përfundimtare të instrumenteve të lidhura.

<Marron, mesa duket ka ndodhur si thua ti, por ti e di mirë se që një eksperiment të jetë i vlefshëm, duhet të mund të përsëritet. Mirë, tani ne do ruajmë gjendjen aktuale, pastaj do të provojmë të riprodhojmë efektin e vëzhguar.>

Para së gjithash, pa prekur asgjë, Drew morri nga një raft një aparat fotografik dixhital, pajisur me një dispozitiv që i vishte një rrjetë të shkallëzuar me finesë imazhit të kapur; fotografoi gjithë sendet në banak, një nga një dhe të grupuara, nga disa këndvështrime. Rrjeta do të lejonte më pas t’ju riktheheshin largësive të sakta dhe këndeve midis objekteve, në mënyrë që të mund të restaurohej paraqitja e saktë e eksperimentit po të qe nevoja. Fotografoi edhe ekranin e kompiuterit, ku shfaqeshin të gjithë parametrat e kalibrimit të mjeteve të ndryshme që komandoheshin nga ai, dhe në fund Marron ruajti parametrat në skedar.

Të dy bashkë shkarkuan në një kompiuter tjetër të gjitha imazhet e fotografuara dhe skedarët me parametra, krijuan dy kopje dhe i ruajtën të veçuara: një në çantën e Drew-së dhe tjetrën në xhaketën e Marronit.

Tani ishte momenti vendimtar: duhej të provonin të riprodhonin efektin.

Drew zhvendosi fetën e bukës mbi piastër, në mënyrë që të kishte përsëri bukë në vendin nga ku më parë ishte zhdukur lënda.

<Pasi nuk dimë asgjë sesi mund të ketë funksionuar, do të vijojmë në mënyrë rastësore, duke modifikuar një parametër çdo herë dhe duke vëzhguar se ç’farë ndodh. Marron, zgjidh një parametër në kompiuter. Do të fillojmë nga kjo.>

Marron u kthye drejt ekranit dhe zgjodhi parametrin e parë që i zunë sytë.

<Do ndryshoj K22-in.Tani është 1123,08V3. Po e çoj në zero.>

Nxënësi e bëri.

Nuk ndodhi asgjë.

<Po e rris me 10V. Tani K22-i është në 10V, 20V, 30V…>

Akoma asgjë.

Kur mbërriti në 350V, Drew i tha Marronit ta rriste me shkallë 50V.

<…400V, 450V, 500V…>

Akoma asgjë.

Gjeneratori zhurmonte fuqishëm nga rritja e tensionit.

<…950, 1000, 1050, 1100, 1150, 1200V…>

Asgjë.

Marron ndaloi. Ndaloi së rrituri tensionin.

<Profesor, e kemi kaluar vlerën e eksperimentit.>

<E pashë, Marron.>, Drew po reflektonte intensivisht. <Mirë, vendos K22-in në mënyrë direkte, në 1123,08V, siç ishte në fillim.>

Marron vendosi vlerën me tastierë, dhe para se ta fuste në sistem ndaloi, këmbeu një shikim dakordësie me Drew-në, që të dy u përqëndruan tek paninja, pastaj djaloshi aktivizoi vlerën: menjëherë, sikur të kish qenë gjëja më natyrale në botë, një racion nga paninja u zhduk. Forma e tij ishte ekzaktësisht si ajo që ishte zhdukur më parë.

Drew gulçoi. Në vetvete, nuk kishte besuar vërtet që efekti i përshkruar nga Marroni të ishte prodhuar, por mendonte se kishte një shpjegim konvenzional për çdo gjë.

Të gjendurit direkt gjatë manifestimit të efektit e kishte shtangur. Iu duk se po zhytej në një zbrazëti të krijuar papritur poshtë tij dhe hezitoi. Për fat qëndronte ulur dhe mjaftoi që nxënësi ta mbante pak, gati, duke penguar rrëzimin e tij. E kuptoi se ç’farë mund të kish kaluar Marron duke vëzhguar efektin herën e parë. Iu desh gati një minutë për të rimarrë veten, por tani e kishte veten në kontroll. Nuk e ndjente më lodhjen e ditës, gjumi i kishte dalë, mendja e tij tani ishte një mjet i fuqishëm dhe i mprehtë, i përqëndruar plotësisht tek eksperimenti.

<Mirë, Marron>, tha ftohtë Drew, <çoje K22-in në zero, pastaj në 1123,08V.> Ndërkaq hoqi në mënyrë të përshtashme paninen.

Marron ekzekutoi, dhe sërish materia u zhduk.

Provuan duke çuar K22-in në 1123,079V, por pa rezultat.

<Tani e dimë që K22-i prodhon efektin vetëm nëse arrihet direkt vlera kritike. Nuk ka një manifestim gradual të fenomenit, as për vlerat e afërta me atë kritike. Duket se jemi pikërisht përballë diçkaje neto, që ose ndodh ose nuk ndodh aspak, sipas vlerës që i japim parametrit. Mirë, tani provojmë me parametrat e tjerë. Fillo me radhë, duke nisur nga i pari, duke i ndryshuar gradualisht siç vepruam për K22-in.>

Marron ndërhyri:

<Profesor, ka mbetur pak bukë; mendoj se duhet të provojmë me ndonjë material tjetër, para se të kalojmë tek parametrat e tjerë.>

<Hëm, ke të drejtë.>

Drew morri një bllok tefloni nga një banak afër dhe e mbështeti mbi piastër.

Duke ndryshuar K22-shin, bënë të zhdukej edhe një pjesë nga ai. Arritën në të njëjtin rezultat edhe me një copë dru, një prizëm, një fletë plumbi dhe me fshirësen e dërrasës. Kuptuan që trashësia e lëndës që zhvendosej ishte rreth gjysmë centimetri.

Ishte ora dhjetë e darkës kur filluan të ndryshojnë parametrat e tjerë. Kishin fikur të gjitha dritat veç një llampe sipër në banak. Drita spektrale e hënës hynte nga dritarja afër, duke ndriçuar shpatullat e dy njerëzve të përkulur mbi një banak të lodhur të një laboratori normal fizike. Puna e tyre ishte e heshtur, murgjërore. Nxënësi ndiqte mësuesin, dhe mësuesi merrte forcë të re nga intuitat e nxënësit të ri, por të mprehtë. Mjaftonin pak fjalë, ndonjëherë vetëm gjeste të sapo përmendura, që të kuptoheshin në ajër në sintoni perfekte gjatë analizës së një fenomeni ogurzi dhe të pakapshëm.

<Duhet të ketë një këmbim.>, vuri re Drew gjatë provave.

Marroni e pa me pamje pyetëse.

<Nëse lënda do të zhvendosej ose shpërbëhej, në vend të saj do të mbetej zbrazëtia dhe ajri rrethues që do ta mbushte menjëherë, duke nxjerrë një zhurmë të thatë, si një kërcitje. Meqë zhurma nuk dëgjohet, besoj që lënda që zhduket nga këtu shkon në një vend tjetër, dhe atje zëvendëson një vëllim ajri që në fakt vjen këtu. Shkëmbimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe bashkëkohor.>

‘Kushedi ku përfundojnë këto sende,’ pyeti Marron, ‘ku do jetë drejtuar instrumenti?’

Në një moment shuan edhe llampën e fundit të mbetur dhe monitorin e kompiuterit, për të vëzhguar efektet e mundshme optike që shoqëronin eksperimentin.

Brendësia e laboratorit ishte e errët, me përjashtim të dritës së hënës që ndriçonte dobët ambientin.

Asnjë zhurmë, përveç ventilatorit të kompiuterit që frynte mbyturazi dhe zukatjes së gjeneratorit të tensionit të lartë.

Marron ndjeu impulsin për të parë jashtë nga dritarja dhe vuri re diçka te çuditshme: fytyra që jemi mësuar të shikojmë kur vëzhgojmë hënën tani dukej sikur i vëzhgonte e habitur, sikur kjo gjë që po bënin ata të dy nuk duhej bërë.

Ose ndoshta jo akoma.

Marronin e kaploi një e dridhur, por u shkund shpejt dhe aktivizoi shkëmbimin.

Laboratori u mbyt në errësirë të plotë. Nxënësi ngriu në vend; balli iu bulëzua nga djersët.

<Profesor…>, mërmëriti.

Si përgjigje, dëgjoi vetëm një kërcitje të çuditshme. Nuk guxonte të lëvizte. Djersa po i shtohej.

Dukej sikur koha kishte ndaluar, në atë laborator.

Gjithmonë errësirë, një ërrësirë shtypëse, si një dorë e madhe që e shtrëngonte gjithmonë e më shumë.

Tensioni ishte tashmë i patolerueshëm.

Kaloi edhe një gjysmë minuti tjetër, pastaj era në lartësi shtyu tutje renë që kishte errësuar hënën, pa dijeninë e të dyve, dhe kjo e fundit filloi të ndriçonte ftohtësisht skenën.

Marron pa nga Drew.

Profesori i moshuar i kishte sytë të shqyer, fytyrën të zverdhur si limoni, dhe me duart ishte kapur pas banakut dhe e shtrëngonte fort, me grushtat e zbardhura nga sforcimi. Ky shtrëngim shkaktonte kërcitjen që nxënësi kishte dëgjuar pak më parë. Siguria dhe vetëkontrolli i Drew-së ishin zhdukur, dhe në atë moment ky njeri shprehte vetëm një gjë: frikë.

<Profesor…>, guxoi përsëri Marron.

Drew u duk sikur u shkund, me ngadalë.

<Ndiz dritën, Marron.>, psherëtiu me mundim.

Djaloshi kërkoi çelësin e dritës dhe ndezi llampën. Një dritë e gjallë ndriçoi banakun. Pa thënë asnjë fjalë, shkoi tek muri dhe ndezi të gjitha dritat e laboratorit.

U duk sikur jeta po rikthehej, sikur ato çaste të tmerrshme u fshinë menjëherë nga gjithë ajo dritë. Drew u ngrit nga karrigia dhe bëri disa hapa. Pastaj fshiu ballin me një shami.

Marron u kthye tek banaku dhe vëzhgoi piastrën e eksperimentit. Lënda ishte zhdukur, si gjithmonë. Asgjë nuk ishte ndryshe. Nxënësi pa nga profesori, që ndërkaq ishte duke u kthyer në vendin e tij. Shikimet e tyre u kryqëzuan, dhe të dy kuptuan që në atë moment dramatik kishin provuar të njëjtat ndjesi.

<Sygjestion. Veç sygjestion. Është natë, jemi të lodhur dhe po merremi me probleme të vështira. Mund të ndodhë…>, Drew fliste, i pasigurtë, duke u përpjekur të merrte veten.

<Po, sigurisht. Kështu duhet të jetë.>, Marroni aprovoi, jo shumë i bindur, por e ndjente se, si njeri racional që e mbante veten, duhej të ishte siç thoshte profesori i tij, më i moshuar dhe më i ditur.

Të dy rinisën punën e tyre, por, jo pa një hezitim të vogël fillestar.

Parametrat në kompiuter ishin njëzet e tetë, dhe në orën dy të natës Marron e Drew mbaruan provat. Kishin shënuar gjithçka, kishin ruajtur të gjitha të dhënat që kishin përdorur, dhe sytë e tyre të zmadhuar nga tensioni, me rrathë të zinj dhe rrema gjaku nga sforcimi pamor që kërkonte eksperimenti shprehnin një lodhje të pathënë, bashkë me dritën e një fitoreje që pak herë në jetë një njeriu i lejohet të provojë.

Incidenti ishte harruar tashmë.

Kapitulli III

Duke parë orën, Drew mendoi që do kishte qenë e patakt të kthente Marronin në godinat e studentëve, të vetmuar dhe të sfilitur, me gjithë atë që djali kishte fituar për të dy.

<Marron, si thua sikur të vish për të fjetur në shtëpinë time? Motra ime është tek një mikeshë në Leeds për disa ditë, dhe ti mund të përdorësh dhomën e saj.>

<Faleminderit, profesor, besoj se do pranoj me kënaqësi.>, u përgjigj mirënjohës djali i rraskapitur.

Për të mos lejuar që ditën tjetër dikush të ngacmonte qoftë edhe padashje eksperimentin, Drew ngjiti në anën e jashtme të derës së laboratorit një fletë të zhgarravitur në moment, që thoshte: ‘LABORATOR I INFEKTUAR NGA BUBURRECA. MOS HYNI!’, pastaj hipën në makinën e Drew-së dhe shumë shpejt mbërritën në vilën e vogël, që ndodhej sapo dilje jashtë perimetrit të Universitetit.

‘Falë Zotit banon afër…’, mendoi Marron, qoftë për arsyen që profesori kishte ardhur shpejt në laborator, atë mbrëmje, qoftë dhe për faktin që ndihej aq i lodhur dhe sytë po i mbylleshin. Kishte absolutisht nevojë të flinte.

Ngjitën rruginën që të çonte tek hyrja dhe Drew u hallakat paksa me çelësat, më në fund hynë brenda.

I zoti i shtëpise e çoi nxënësin në dhomën e së motrës dhe i dha indikacionet kryesore në lidhje me shërbimet e kuzhinës, pastaj propozoi:

<Dëgjo pak, Marron, tani të veshim pizhamat dhe të lajmë dhëmbët si fëmijë të mbarë, po si thua për ndonjë gllënjkë sa për të hequr stresin, para se të flemë?>

Nxënësi pothuajse nuk rrinte dot më në këmbë nga gjumi, por duhej edhe të pranonte që i kishte nervat shumë të tendosura, dhe kjo gjendje mund ta kishte mbajtur zgjuar për gjithë natën.

Ndërkohë nuk kishte ngrënë darkë, po në atë orë kush kish dëshirë për të ngrënë, e sidomos të përgatisnin? Të mos haje një vakt nuk ishte fundi i botës, për të, pra iu bashkua profesorit.

<Ide e mirë, është dhe një mënyrë për të festuar, apo jo?>

Për nja një çerek ore ishin të zhytur në kolltukët e sallonit me një wisky të mirë në duar. Nxehtësia e këndshme e gllënjkave të para i kishte çtensionuar goxha tashmë, dhe biseda ishte e qetë.

<Kjo është një ditë e veçantë, Marron>, po thoshte Drew, <shumë e veçantë. Kemi në duar një mjet që prodhon një efekt komplet të ri, as të teorizuar, me sa më rezulton. Do jetë e nevojshme të marrim parasysh teoritë fizike aktuale dhe të shohim nëse është e mundur të shpjegojmë efektin sipas tyre, apo nëse është e domosdoshme të ndërtojmë një teori të re që ta bëjë këtë gjë. Do ketë shumë punë për të bërë, për mua dhe për kolegët e mi të shpërndarë nëpër botë, pasi ti kemi vënë në dijeni të eksperimentit.>

€3,59
Vanusepiirang:
12+
Ilmumiskuupäev Litres'is:
17 oktoober 2019
Objętość:
902 lk 4 illustratsiooni
ISBN:
9788873046295
Tõlkija:
Õiguste omanik:
Tektime S.r.l.s.
Allalaadimise formaat:
Audio
Keskmine hinnang 4,7, põhineb 1079 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 4,3, põhineb 302 hinnangul
Audio
Keskmine hinnang 4,9, põhineb 154 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 4,8, põhineb 380 hinnangul
Tekst, helivorming on saadaval
Keskmine hinnang 4,7, põhineb 588 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 4,9, põhineb 397 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 4,9, põhineb 1140 hinnangul
Tekst, helivorming on saadaval
Keskmine hinnang 4,7, põhineb 1111 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 1, põhineb 1 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 0, põhineb 0 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 0, põhineb 0 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 0, põhineb 0 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 0, põhineb 0 hinnangul
Tekst
Keskmine hinnang 0, põhineb 0 hinnangul