Kriteri I Leibnizit

Tekst
Loe katkendit
Märgi loetuks
Kuidas lugeda raamatut pärast ostmist
Šrift:Väiksem АаSuurem Aa

<Do ta kishit të vështirë të ishit në Manchester për pasnesër?> pyeti Drew duke u shtirur së injoruari shpërthimin e kukurisjes të Novak.

Një çast heshtjeje, pastaj norvegjezja u përgjigj pothuajse me simpati:

<Mendoj që po. Do delegoj detyrat e mia kolegëve të mi. Jam kureshtare të shikoj fenomenin për të cilin flisni.> dhe këtu iu kthye akullit të Artikut: <Uroj që të jetë me të vërtetë diçka e panjohur dhe jo një marrëzi si zbulimet e tjera fallco.>

Drew u shqetësua përsëri po nuk e dha veten.

<Nuk do të pendoheni, profesoreshë Novak. Ju jam thellësisht mirënjohës që pranuat propozimin tim. Ju pres me padurim. Faleminderit përsëri dhe shihemi së shpejti.>

<Mirupafshim.> qe përshëndetja e mekur.

Drew ishte në qiellin e shtatë. Kishte arritur të formonte skuadrën dhe së shpejti do kishin filluar të punonin mbi fenomenin.

Telefonoi Kobayashin për ta njoftuar për datën e takimit. Edhe pse afati ishte shumë i shkurtër japonezi u përshtat dhe konfirmoi prezencën e tij për ditën e vendosur.

Marron hyri me dispensat e fotokopjuara dhe Drew e azhornoi mbi marrëveshjen e arritur me shkencëtarët e grupit të sapolindur të kërkimit.

<Profesor,> vëzhgoi studenti, <po mendoja që kur t’u tregojmë efektin kolegëve, profesoreshë Bryce duhet të jetë jashtë zyrës së saj dhe ne duhet të jemi në gjendje të marrim gjithë materialin që do zhvendosim pa e marrë vesh ajo, përndryshe do kemi telashe.> Poterja e Bryce në zyrën e rektorit e shqetësonte.

<Ke të drejtë, Marron.> ndërhyri Drew. <Kemi dy mundësi: ose, dakordësuar me McKintockun, e informojmë për eksperimentin dhe kërkojmë bashkëpunimin e saj, ose bëjmë gjithçka kur ajo të mos jetë në zyrë. Por, në këtë rastin e fundit, duhet t’i kërkojmë rektorit çelësin e asaj zyre.> Reflektoi një moment, pastaj përfundoi: <Flasim me McKintock.Të vendosë ai.>

<Po tallesh?> shpërtheu McKintock, <Bryce ma bën jetën mjaftueshëm të vështirë edhe pa shtuar këtë të renë e fundit. Duhet ta bëjmë patjetër pjesë të lojës, nuk ka mundësi të tjera. Për më tepër, kur të eksperimentosh efektin tënd mbi kafshët një biologe do na nevojitet.>

Drew nuk e kishte menduar aspak, në atë këndvështrim, por rektori kishte të drejtë.

<Mendon se do jetë e disponueshme për një mbledhje tani?> u informua Drew.

Si përgjigje unike, McKintock telefonoi direkt sekretaren e vetë.

<Miss Watts, ku është profesoresha Bryce në këtë moment?>, priti disa sekonda, dëgjoi përgjigjen dhe pastaj: <Shumë mirë. Faleminderit. Mund ta sillni në zyrën time menjëherë? Perfekt. Faleminderit përsëri.>

Zonjusha Watts ishte një model i efikasitetit. Intelligjente, intuitive dhe e zgjuar, ishte krahu punëtor i rektorit dhe ai kishte për të konsideratë maksimale.

<Bryce sapo ka dalë në pushim. Pas pak duhet të jetë këtu.> e azhornoi McKintock-un.

Drew vuri re që rektori i kishte sytë me rrathë të zinj dhe shprehje të përgjumur. Duhej ta kishte kaluar natën me mikeshën e tij; ishte gjithmonë kështu, të nesërmen. Drew e kishte pak zili, por duhej të pranonte që nuk ishte impenjuar shumë të kërkonte një grua. Mesa dukej McKintock ishte më i zoti ose kishte patur më shumë fat.

<Grupi i kërkimit do jetë këtu brenda disa ditësh, McKintock. Mezi po presim t’i vihemi menjëherë punës.> e informoi Drew.

Rektori vështroi Marron. E mati mirë me shikim dhe pastaj i foli për herë të parë, që kur kjo çështje kishte nisur.

<Dhe kështu, ti je nxënësi i Lesterit.> rinisi mendueshëm. <Ky këtu...> tregoi me shaka drejt nga Drew <... thotë që ke qenë ti që vure re efektin e prodhuar nga pajisja. Është vërtet kështu?>

Marron ishte në siklet, dhe edhe nën sygjestion përballë zyrtarit më të lartë të Universitetit.

<Ehm, po, zotëri. Ndodhi pikërisht kështu. Falë karakteristikave unike të dispozitivit të ndërtuar nga profesor Drew dhe një varg rastësish fatlume, unë kam patur privilegjin të vëzhgoj manifestimin e fenomenit. Tani duhet ta studiojmë me themel edhe me grupin e kërkimit të formuar nga profesori...>

Në atë moment, profesoresha Bryce shpalosi derën dhe hyri me hap marshimi; me filxhanin e çajit akoma në dorë dhe pa thënë asnjë fjalë, morri një karrige dhe e përplasi me forcë në tokë, përbri tavolinës; u ul dhe vështroi nga rektori me sytë e zjarrtë.

<Pra?> filloi me arrogancë.

McKintock ishte mësuar me sjelljet provokuese të gruas dhe nuk mërzitej më, tashmë.

<E famshmja profesoreshë Bryce, Megan...> u përpoq ta zbuste duke e thërritur në emër, por ajo si përgjigje mbylli syrin e djathtë dhe përveshi cepat e gojës për nga poshtë; përplasi filxhanin mbi suprinën e tavolinës, duke pikuar çaj të nxehtë mbi shënimet e rektorit dhe mbi një anforë antike që rrinte mbi tavolinë, kryqëzoi krahët dhe pa përsëri në mënyrë ofenduese.

<Po, Lachlan?> foli me zë tallës.

McKintock psherëtiu.

<Kemi nevojë për ndihmën tuaj për një kërkim...>

<Nëse keni humbur çelsat thërrisni një punëtor. Unë kam gjëra më të rëndësishme për të bërë!>

<Dreqi ta hajë, Bryce!> shpërtheu McKintock duke goditur me grusht mbi tavolinë dhe këtë herë duke spërkatur ai çajin nga filxhani i profesoreshës. Ajo u trondit në karrige, e trembur. Ndërkaq rektori ia nisi me tërsëllimë:

<Nëse dërgova t’ju thërrisnin e bëra sepse kam nevojë për ju, përndryshe do ia kisha dalë me shumë dëshirë pa ju meqë nuk kam asnjë kënaqësi t’ju kem nëpër këmbë, është e qartë!?>

Profesoresha ishte bërë e bardhë si bora dhe e shikonte e kontraktuar, pa lëvizur asnjë muskul.

McKintock rifilloi, më i qetë:

<Profesorin Drew e njihni tashmë. Ky është studenti i fizikës Joshua Marron.> Bryce hodhi sytë si shigjetë drejt nxënësit dhe i riktheu menjëherë mbi rektorin, e habitur. Ai vazhdoi.

<Kanë zbuluar një fenomen fizik revolucionar dhe po përgatiten ta studiojnë me një grup kërkimi përbërë nga shkencëtarët më të mirë në qarkullim, zgjedhur nga Drew. Pasi kërkimi do të përfshijë edhe format biologjike, mendojmë që ju jeni personi më i përshtatshëm për këtë detyrë. Jeni me ne?> përfundoi i vendosur.

Profesoresha mbeti e palëvizur për disa sekonda, pastaj çliroi trupin dhe morri frymë për herë të parë qëkur McKintock kishte përplasur grushtin në tavolinë. As nuk kishte pipëtitur, që atëhere.

<Falmëni, zotërinj, për sjelljen time. Rektor, përdorim të formave biologjike, po thonit? Për ç’farë qëllimi?>

McKintock pa nga Drew, që ndërhyri me veprim rinor sikur asgjë të mos kish ndodhur.

<Profesoreshë, më duhet t’ju them që ky është një kërkim sekret.> Bryce shtrëngoi sytë. Drew vazhdoi:

<Jemi në gjendje të zhvendosim njëkohësisht lëndë midis dy vendeve të largëta midis tyre. Objektet që një ditë më parë gjetët në kolltukun tuaj vinin nga laboratori i fizikës në të cilin unë dhe nxënësi Marron ishim duke ekperimentuar efektin e sapo zbuluar. Na falni për sikletin që ju kemi shkaktuar, por nuk mund ta dinim me të vërtetë se ku përfundonin ato sende.> Bryce shqeu sytë për një moment, për t’iu kthyer pastaj të dëgjuarit me vëmendje.

Drew shpjegoi përsëri:

<Me grupin e shkencëtarëve që kam zgjedhur do të përpiqemi të vëmë në punë teorinë që shpjegon fenomenin e zbuluar, pra do na duhet të provojmë të zhvendosim edhe qënie të gjalla, bimë dhe kafshë. Ndihma juaj do jetë përcaktuese.>

<Përse ma kërkoni pikërisht mua? Ka shumë biologë me vlera në qarkullim.> pyeti profesoresha.

<Instrumenti që prodhon zhvendosjen e ka destinacionin të rregulluar mbi kolltukun tuaj, krejt rastësisht. Nuk e dimë akoma si ta ndryshojmë këtë koordinatë, prandaj faza e parë e eksperimentit do të zbatohet duke përdorur edhe zyrën tuaj. Do na ndihmoni?>

Bryce ndryshoi plotësisht shprehjen e fytyrës. Tani ajo ishte e këndshme, si një studente në eksperiencat e saj të para të laboratorit. Ndoshta ishte ajo, profesoresha e vërtetë Megan Bryce: një shkencëtare që kishte vetëm nevojë për një sfidë për të përballuar, që ta largonte nga monotonia e të dhënit mësim studentëve indiferentë e të pasjellshëm.

<Sigurisht, profesor Drew!> thërriti, <Po kjo do t’ju kushtojë diçka...>

Drew e pa në mënyrë pyetëse, dhe ajo vijoi:

<Tani e di kujt t’ia dërgoj llogarinë e lavanderisë që më ka pastruar fundin!> i shkeli syrin dhe doli duke buzëqeshur nga zyra.

Të tre burrat mbetën në qetësi për disa çaste, pastaj McKintock përfundoi:

<Është një grua e mirë, tek e fundit. Duhet të jetë gjithmonë shumë e stresuar për jetën që bën. Duhet ta kuptojmë. Por tani mendoj që ky projekt e ka bërë të hyjë në një gjendje paqeje, dhe kjo do jetë e vlefshme si për atë ashtu edhe për kërkimin tonë.>

<Amen!> theksoi Drew.

<Për më tepër, Lester,> filloi rektori, <ke verifikuar nëse laboratori ku mban eksperimentin është akoma i mbyllur? Unë e kisha mbyllur zyrtarisht, kur dje ma kërkove ti.>

<Ishte faza jonë e dytë.> u përgjigj Drew duke u ngritur i ndjekur nga Marron. <Do takohemi sapo shkencëtarët të kenë mbërritur të gjithë. Mirupafshim, Lachlan.>

<Mirupafshim, rektor McKintock.> përshëndeti Marron me respekt.

Laboratori i kishte akoma shiritat ngjitës mbi derë dhe një tabelë e shkruajtur mirë zëvendësonte atë provizoren të zhgaravitur nga Drew natën e zbulimit.

Profesori hoqi gjithë ngjitësat dhe të dy rihynë për të parën herë që atëhere. Gjithçka ishte siç e kishin lënë. Laboratorët e shumtë të fizikës së Universitetit të Manchesterit bënin që padisponueshmëria e atij të bllokuar të mos ishte pengesë për aktivitetet kurrikulare.

 

Dolën dhe Drew izoloi përsëri laboratorin duke përdorur ngjitës të rinj të tërhequr më parë në sekretari.

U kthyen në zyrën e Drew-së dhe kaluan pjesën tjetër të ditës duke renditur sërish shënimet e eksperimentit, duke përgatitur tabela dhe grafikë dhe një relacion të shkurtër mbi veprimet e kryera dhe rezultatet e arritura, në mënyrë që tu jepte anëtarëve të grupit të kërkimit një pamje konçize por të plotë të argumentit për të studiuar. Do kishte qenë një pikë nisje e matur, por Drew kishte intuitën se rruga për të përshkuar do të ishte shumë e gjatë dhe e vështirë.

Ditën tjetër Drew vazhdoi leksionet e tij normale ndërsa Marron qëndroi në dhomën e tij për të studiuar.

Në mbrëmje Kamaranda mbërriti në Manchester. Me një taksi erdhi direkt në banesën që i ishte rezervuar pranë Universitetit, pastaj i telefonoi Drew-së për ta informuar për mbërritjen e tij. Shkoi për darkë dhe pastaj fjeti. Mëngjesin tjetër, në pritje të shkencëtarëve të tjerë që do të vinin gjatë ditës, shkoi në Sackville Park, sa del jashtë nga Universiteti, dhe u ul të meditonte mbi stolin që strehonte statujën e Turing11. Për të, ishte si të ndodhej poshtë banianit të tij.

Kobayashi, Maoko dhe Schultzi mbërritën në pasdite. Novak u praqit nga darka.

Mbledhja e parë ishte vendosur për mëngjesin tjetër, në orën nëntë, në laboratorin e eksperimentit.

Aventura po fillonte.

Kapitulli IX

Disa të ulur në karrige dhe të tjerët në stola, pjesëmarrësit në mbledhje ishin vendosur në gjysmërrethi përreth banakut, mbi të cilin makineria e ndërtuar nga Drew shfaqej si prototipi anonim i ndonjë eksperimenti elektrodinamik. Profesori ishte afër rregullueses mikrometrike, ndërsa Marron qëndronte i ulur në kompiuter.

Drew morri fjalën.

<Pajisja që keni tani përballë është mesa duket në gjendje të shkëmbejë midis tyre dy pjesë të largëta të hapësirës. Në pratikë, ç’farë ka në pikën A shkëmbehet në mënyrë të menjëhershme me atë ç’farë ka në pikën B.>

Me këtë njoftim, Schultzi zmadhoi sytë, ndoshta duke paracaktuar realizimin e asaj që studimet e tij mbi relativitetin kishin treguar.

Kamaranda mbeti i hutuar, si në meditim, ndërsa Kobayashi filloi të vëzhgonte me një zbardhje dhëmbësh të vogël gjeneratorin e tensionit të lartë dhe lidhjet midis pjesëve të ndryshme të dispozitivit. Maoko, përbri tij, fiksoi skeptike makinerinë.

Novak vështronte e ftohtë skenën, pa treguar asnjë lloj reagimi, ndërsa Bryce buzëqeshte në një pritje të padurimtë.

McKintock rrinte ulur me krahë të kryqëzuara dhe priste.

<Tani do bëjmë një demonstrim të efektit. Pika jonë A është mbi këtë pllakëzën.> vijoi Drew duke treguar pjesën, <Pika B është e pozicionuar mbi kolltukun e profesoreshës Bryce, në zyrën e saj, treqind metra nga këtu. Kemi vendosur një telekamerë që filmon kolltukun; monitori përbri pllakëzës është i lidhur me telekamerën.>

Drew morri nga një kuti një bllok të vogël plastik të bardhë dhe e mbështeti mbi pllakëzën.

Të gjithë fiksuan sytë mbi zonën e treguar.

Me zë të ulët, Drew urdhëroi Marron:

<Jepi!>

Marron shtypi një tast dhe menjëherë blloku i vogël u zhduk nga pllakëza dhe u shfaq në fushën e telekamerës, në mes të ajrit, duke rënë menjëherë mbi kolltukun e profesoreshës Bryce.

Të pranishmit u shtangën, të hutuar. Disa u ngritën në këmbë dhe u afruan të ekzaminonin pllakëzën nga e cila blloku i vogël ishte zhdukur.

Novak ishte zbardhur, duke u bërë akoma më e zbehtë se zbehtësia e saj tipike prej norvegjezeje.

Kobayashi nuk po tallej më. Duke vrenjtur ballin vëzhgonte dispozitivin, ndërsa Maoko i kishte sytë të shqyer nga habia.

Schultzi ishte rrezatues. Në këmbë përpara banakut, shikonte monitorin sikur të tregonte lindjen e fëmijës së tij të parë.

McKintock ishte i kënaqur dhe mezi po priste për prurjet ekonomike për Universitetin, ndërsa Kamaranda dukej tashmë sikur po meditonte mbi modelin matematik të asaj që sapo kishte parë.

<Profesoreshë Bryce!> bërtiti Marron.

Të gjithë u kthyen drejt karriges së zënë nga gruaja.

Profesoreshës i kishte rënë të fikët dhe rrinte e braktisur mbi mbështetësen e karriges, me kokën e kthyer mbrapa dhe krahët varur nëpër krahët e karriges.

Rektori i doli përpara dhe e shkundi fuqishëm nga shpatullat.

<Megan! Megan!> i thirri duke bërtitur.

Bryce nuk reagoi, atëhere McKintock i goditi dy shuplaka të forta dhe e thirri sërish:

<Megan! Megan!>

Gruaja hapi sytë dhe u shkund, duke u ngritur drejt e pasigurtë. Ishte e zbehtë si një gjethe.

<Ç’farë...ndodhi?> pyeti.

<Ju ra të fikët, profesoreshë Bryce.> u përgjigj rektori, <Si ndjeheni tani?>

<Më mirë, faleminderit. Më merren pak mendtë, po do kalojë. Më djegin faqet, ama. Nuk kuptoj.> tha Bryce duke i masazhuar.

McKintock filloi të qeshë me vështirësi, ndërsa përreth gjithë të tjerët shkëmbenin shikime zbavitëse.

<Marron, bëj shpejt një çaj për profesoreshën. Me shumë sheqer, kujdes.> tha Drew.

Studenti shkoi në këndin e freskimit të laboratorit dhe filloi të kërkonte ibrikun e çajit.

<Keni ngrënë mëngjes sot, profesoresha Bryce? Mundet të jetë një rënie sheqeri?> u informua Drew.

<Po, kam ngrënë mëngjes.> iu përgjigj gruaja. <Nuk ka qenë rënia e sheqerit që më bëri të më binte të fikët, po emocioni i madh që provova duke parë të funksionojë eksperimenti!>

Të pranishmit e panë me dyshim.

<Po nuk e kuptoni?> shpërtheu Bryce. <Me një pajisje të tillë do mund të tërheqim kampione nga vende të paarritshme, siç janë thellësitë maksimale oqeanike, bërthama tokësore, të brendshmet e qënieve njerëzore! Dhe kjo pa asnjë sforcim. Mendoni për mjekimin e sëmundjeve. Nuk do duhet më të pritet barku i një personi për të hequr në mënyrë të përafërt dhe jo të plotë masa tumorale. Do mjaftojë të rregullohet në mënyrë të përshtatshme pajisja mbi siluetën e materialit për t’u hequr dhe të kryhet shkëmbimi. Masa do të zhduket thjesht nga trupi i të sëmurit, pa i treguar as një bisturi. Jemi përballë një epoke të re në fushën e biologjisë dhe mjekësisë!>

<Ja çaji, profesoreshë Bryce.> Marron i solli filxhanin, që ajo e morri me mirënjohje.

<Ha ndonjë nga këto, profesoreshë.> ndërhyri Maoko, duke i ofruar disa biskota që mbante në çantë. <Janë shumë të ushqyeshme.>

<Faleminderit, zonjusha Yamazaki.> pranoi Bryce. Piu disa gllënjka çaji, pastaj filloi të përtypte biskotat. <Të mira, vërtet! Ç’farë përmbajnë?>

<Vetëm produkte natyrale, pa ngjyrues as konservues.> deklaroi pafajësisht Maoko. Hoqi dorë së saktësuari që baza ishin fasulet Azuki, pasi i njihte vështirësitë e perëndimorëve në vlerësimin e një ëmbëlsire të mos bazuar në miellra drithërash.

Profesoresha Bryce hante me shije dhe e kishte marrë veten plotësisht.

Të tjerët ndërkaq ishin relaksuar dhe ishin kthyer në vendet e tyre.

<Nuk kisha menduar për gjithë këto implikime.> ndërhyri i menduar McKintock, që deri në atë moment kishte menduar vetëm për transportin e sendeve. <Në fakt, mundësitë e aplikimit janë shumë të gjera. Mund të revolucionarizojmë vërtet shkencën dhe teknikën, me këtë sistem.>

<Për këtë jemi këtu.> Drew iu drejtua të gjithë atyre. <Duhet të studiojmë këtë fenomen dhe të vihemi në kushtet që ta kontrollojmë. Në eksperimentet që unë dhe Marron kemi kryer deri tani, kemi arritur të ndryshojmë formën dhe përmasat e lëndës së spostuar, por destinacionin jo, domethënë pika B, nuk ka ndryshuar kurrë; kushedi pse. Dispensat që ju shpërndamë sot në mëngjes përmbajnë projektin e dispozitivit dhe raportin e detajuar të çdo transferimi të veçantë të kryer, me parametrat përkatës të vendosur, rregullimet mikrometrike, energjinë e përdorur dhe rezultatin e arritur. Tani është e nevojshme të depërtojmë në bazën teorike të fenomenit.>

<Ç’farë duhej të ishte kjo makineri?> u informua Kobayashi. <Përse është ndërtuar, në origjinë?>

<Doja të eksperimentoja një jonizim në energji të ulët mbi gazrat.> gënjeu Drew, për të mos zbuluar orvatjen e tij foshnjore për t’i shpëtuar zgjedhës të së motrës në lidhje me prerjen e barit.

<Kuptoj.> Kobayashi filloi të shfletonte dispensën. <Ky gjenerator,> tregoi një pjesë të skemës, <ke provuar ta zëvendësosh dhe të verifikosh nëse efekti prodhohet përsëri?>

<Absolutisht jo, Nobu. Nuk kemi modifikuar asgjë, për mos të rrezikuar të humbasim përgjithmonë mundësinë e kryerjes së eksperimentit me sukses.>

<Shumë mirë, Drew-san. Gjëja e parë që duhet bërë, absolutisht, është të ndërtojmë një sistem tjetër identik me këtë dhe të shohim nëse funksionon.>

Drew nuk e kishte menduar.

Ishte e qartë që kjo ishte lëvizja e parë.

<Marron, bëj një kopje të listës së materialeve dhe siguro menjëherë përbërësit tregtarë. Disa pjesë janë ndërtuar me dorë. Do të merrem vetë personalisht.> Pa grupin e tij të kërkimit. <Kolegë, ç’farë mendoni për gjithë këtë?>

Schultz po fliste me Kamarandën. E ndërpreu bisedën dhe iu drejtua Drew-së.

<Lester, na duket goxha e çuditshme që ti ke arritur të prodhosh një efekt kaq tronditës me një metodë kaq të thjeshtë. Mendohu pak. Tashmë ka dy shekuj që njeriu eksperimenton me fushat elektromagnetike, duke përdorur makinat më të veçanta dhe qasjet më ekstravagante. Në gjithë këtë kohë, është mahnitëse që askush nuk është ndeshur kurrë me këtë fenomen.>

<Edhe unë jam mahnitur, miqtë e mi. Pra duhet të kuptojmë përse shfaqet, dhe kështu ndoshta do të kuptojmë edhe përse nuk është vënë re akoma nga të tjerët.>

<Duhet të ketë rol ndonjë shtrembërim ekstrem i shtresës hapësiro-kohore...> dhe u kthye të diskutonte me Kamarandën. Të dy shkuan tek një dërrasë dhe filluan të shkruajnë ekuacione, të vizatojnë grafikë me boshte të harkuara, të fshijnë, të korrigjojnë dhe të shkruajnë. Pjesa tjetër e laboratorit për ata nuk ekzistonte.

<Mirë, zonja dhe zotërinj.> tha McKintock <Ju kujtoj që kjo punë është e mbuluar nga një sekret maksimal. Nuk duhet ta bëni bisedë me asnjë, për asnjë arsye. Po kthehem në zyrën time dhe pres lajme. Faleminderit për bashkëpunimin tuaj të çmuar.> dhe u largua.

<Profesor Drew, keni provuar të vendosni një kampion në pikën B, duke lënë të zbrazët pikën A, dhe të aktivizoni pajisjen?> Jasmine Novak ndërhyri për herë të parë, që nga fillimi i mbledhjes.

<Akoma jo. Do ta bëjmë tani. Profesoreshë Bryce, a mund të më shoqëroni?>

<Sigurisht!> u përgjigj ajo me gjallëri. Çaji dhe biskotat e kishin sjellë në vete.

U drejtuan nga zyra e Bryce, ndërsa Novak qëndroi në laborator të studionte dispensën.

Sapo mbërriti në vend, profesoresha morri nga kolltuku bllokun e vogël plastik të bardhë transferuar më parë dhe e vëzhgoi me vëmendje, duke e rrotulluar nga të gjitha anët. Dukej i plotë në mënyrë perfekte. Drew, ndërkaq, vuri re që nuk kishte akoma një masë të saktë të pozicionit të pikës B, por vetëm një tregues të përafërt: pak sipër mbi sediljen e kolltukut. Pra nuk mund të sistemonte një kampion siç kishte bërë për pikën A. Vështroi përreth dhe pa një copë polisteroli që dilte nga një kuti reagentësh vendosur në një raft të zyrës. Ishte i gjatë rreth pesëdhjetë centimetra, i gjerë tridhjetë dhe i thellë po aq. Ishte i duhuri për qëllimet e tij. E mbështeti mbi kolltuk, vertikalisht, në mënyrë që pika B të binte në mënyrë të sigurtë në brendësi të saj.

<Unë po rri këtu për të riorientuar kampionin sipas nevojës.> tha Bryce.

<Dakord. Do qëndrojmë në kontakt me telefon. Rrini larg nga kolltuku.>

Profesoresha buzëqeshi, duke aprovuar, dhe Drew u kthye në laborator.

<Tani do provoj të transferoj polisterol nga B në A.> njoftoi.

Maoko mbylli dispensën dhe u afrua në kompiuter.

<Profesor, mundem?> e pyeti.

Drew pa që Kobayashi i ishte afruar makinerisë dhe shikonte duke buzëqeshur rregullimet mikrometrike.

Kishin lexuar tashmë gjithë dispensën dhe dinin si të manovronin dispozitivin! Drew ishte i shushatur.

<Të lutem!> aprovoi Drew me ngrohtësi.

 

Maoko u ul në kompiuter, verifikoi parametrat mbi ekran dhe vështroi Kobayashin. Ky bëri një shenjë të thatë me kokë. Vajza shtypi tastin e aktivizimit dhe në çast një bllok i vogël kubik me brinjë rreth pesë centimetra u shfaq mbi pllakëzën e përcaktuar si ‘pika A’.

Novak kishte vëzhguar gjithçka në qetësi.

<Profesor Drew, pyesni Bryce nëse ka vënë re ndonjë efekt mbi mostrën, në momentin e transferimit.> pyeti.

Gjatë këtij eksperimenti Bryce kishte mbetur jashtë fushës së telekamerës, që fokusonte bllokun e madh të polisterolit akoma të sistemuar në kolltuk; me sa duket pozicioni i tij ishte akoma ai në të cilin e kishte vendosur Drew.

Fizikanti morri telefonin dhe formoi numrin e zyrës së Bryce. Ajo u përgjigj menjëherë.

<Po?>

<Kemi transferuar me sukses rreth tridhjetë sekonda më parë. Keni vënë re ndonjë gjë të veçantë, tinguj, vibrime ose të tjera?>

<Absolutisht asgjë. Po të mos ma kishe thënë, do betohesha që asgjë nuk kishte ndodhur. Ndërsa ...> hyri në fushën pamore vizualizuar nga monitori, morri polisterolin dhe e vuri përpara llampës së tavolinës, për ta vëzhguar në transparencë. <... po, në këtë lartësi ka një pikë në të cilën drita kalon më me lehtësi. Do të thoja që është një zonë rreth pesë centimetra anësore.>

<Perfekt, faleminderit, profesoreshë. Prisni pak, ju lutem.>

Pa nga Novak në mënyrë pyetëse.

<Deri tani kemi shkëmbyer lëndë të forta me ajër.> ndërpreu ajo. <Provojmë të forta me të forta.>

Drew pohoi.

<Profesoreshë, ju lutem, vendosni polisterolin që të kemi lëndë të fortë në lidhje me pikën B në mënyrë të sigurtë.>

<Dakord.>

Ndërkohë, duke përdorur një stilolaps Bryce kishte vizatuar një rreth mbi njërin krah të bllokut, në lartësinë e pikës nga ku lënda ishte nxjerrë. Vendosi bllokun përsëri në këmbë, por këtë rradhë duke e rrotulluar në njëqind e tetëdhjetë gradë. Pika B binte në një pjesë të paprekur të mostrës.

Drew morri nga kutia e saj një kub të vogël hekuri gjithnjë me brinjë prej pesë centimetrash dhe e vendosi mbi pllakëzë.

<Gati.> iu tha dy japonezëve.

Maoko aktivizoi me tast dhe më pas Bryce u gëzua në telefon:

<Funksionon! Blloku u rëndua, e pashë të fundosej pak në kolltuk. Prit një moment.>

Ngriti bllokun dhe konstatoi një rritje neto të peshës. Prova përballë dritës konfirmoi që tani tek polisteroli ishte përfshirë blloku i vogël i hekurit, që duke ardhur nga pika A ishte shkëmbyer me një bllok të vogël polisteroli me të njëjtin vëllim, i cili tani po shfaqte vetveten mbi pllakëzën në laboratorin e fizikës.

Të vëzhgoje këtë shkëmbim të fundit direkt, duke parë pllakëzën dhe monitorin përbri tij, kishte qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për të pranishmit: kur Maoko kishte bërë aktivizimin, të dy blloqet e vogla thjesht kishin këmbyer vendet, sikur të ishte gjëja më e natyrshme në botë.

<Kam përshtypjen se fenomeni ka të bëjë me gjeometrinë e brendshme të hapësirës, pa marrë parasysh absolutisht nga ajo çka mban hapësira.> vëzhgoi Novak. Iu afrua Kamarandës dhe Schultzit dhe raportoi rezultatin e eksperimentit të fundit, bashkë me përshtypjet e veta. Të dy studiuesit u panë, pastaj indiani ngriti krahët dhe e fshiu tërësisht dërrasën e zezë. Qëndruan pak duke u menduar, pastaj filluan të shkruajnë, me zj.Novak që herë pas here iu tregonte atyre ndonje detaj në ekuacione. Shpërthente një diskutim i shkurtër, pastaj shpesh ekuacioni modifikohej dhe kështu vazhdonin.

Kaluan kështu disa orë.

Bryce shkoi të bënte disa orë mësimi; studentët e saj atë ditë pyetën veten se ç’farë i kishte ndodhur vallë: nuk ishte e rreptë dhe kërkuese si zakonisht, po dukej më tepër e kapur nga një lloj gëzimi i brendshëm, shkaku i të cilit nuk kishte asnjë gjurmë.

Kobayashi dhe Maoko filluan të ndryshojnë parametrat dhe rregullimet mikrometrike mbi dispozitiv, në mënyrë më sistematike dhe të organizuar nga ç’kishin bërë Drew dhe Marron atë natë të lodhshme. Drew i kishte furnizuar me një numër të përshtatshëm mostrash për provat dhe kryen shumë eksperimente. Por, nga mesdita, Kobayashi u ngrit në këmbë i inatosur dhe lëshoi ca mallkime në japonisht, pastaj mbështeti të dyja duart mbi banak dhe vëzhgoi me armiqësi të hapur pajisjen. Diçka nuk shkonte. Para se të bënin shkëmbimin e fundit kishin përgatitur një rregullim shumë kompleks, rrjedhur nga një sasi shënimesh dhe skemash grumbulluar e gjurmuar mbi fletë të shumta, vendosur në mënyrë të rregullt mbi një tavolinë përbri. Por, rezultati nuk ishte ai i pritshmi.

<Përse pika B nuk zhvendoset, dreqi e morri?!> gërthiti Kobayashi.

Maoko ishte errësuar në fytyrë dhe tregonte një frustrim të dukshëm. U ngrit edhe ajo dhe rimorri në dorë disa shënime, duke i rilexuar për të disatën herë në kërkim të një gabimi.

<Nuk ka gabime, Kobayashi-san.> deklaroi pas disa çastesh. <Duket sikur ka një pllakë të dytë të polarizuar që e mban gjithmonë fushën të lidhur në të njëjtin pozicion.>

<Po nuk ka pllaka të tjera, Maoko-san!> u përgjigj kokëfortë japonezi. <Ka diçka që nuk shikojmë, diçka që na shpëton. Dhe pastaj, ku duhej të ishte kjo pllakë e dytë, sipas teje?>

Maoko pa nga lart, drejt tavanit.

<Atje, profesor.> tha, duke treguar nga lart.

<Drew-san!> thirri Kobayashi me zë të ashpër.

Drew po ndërtonte disa pjesë për makinerinë dublikat. Me hapa të gjatë iu afrua dy japonezëve.

<Thuamë, Nobu.>

<Ç’farë ka brenda atij tavani?>

Drew e pa me gojë të hapur.

<Brenda tavanit?> pyeti i hutuar. <në ç’farë kuptimi, brenda tavanit?>

<Po, brenda tavanit.> iu kundërpërgjigj i paduruar Kobayashi. Kur nuk arrinte të zgjidhte një problem bëhej grindavec. <Ka metal, që të dish ti? Një të madh, një piastër të gjatë prej metali?>

Drew e pa i përhumbur, pastaj papritur kuptoi domethënien e asaj që po i thoshte kolegu japonez.

<Në tavan nuk e di, por di ç’farë ka më sipër tavanit!> thërriti Drew. <Ka një laborator të shkencave të materialeve. Shkojmë të shohim.>

I ndjekur nga Kobayashi dhe Maoko, Drew doli nga laboratori dhe iu avit shkallëve lart. Shpalosi derën e laboratorit tjetër, duke lënë të shushatur disa studentë në punë, dhe u drejtua drejt zonës së mësipërme të makinerisë.

Pikërisht atje, mbështetur në dysheme, kishte një fletë hekuri të zinkuar, të trashë disa milimetra dhe të gjerë dy metra me dy.

<Ja!> bërtiti Kobayashi, duke treguar një anë të fletës.

Maoko pa dhe filloi të konfirmonte, duke shkarkuar me një frymëmarje të thellë tensionin e grumbulluar gjatë atyre orëve.

<Nuk arrinim të kuptonim pse pika B nuk zhvendosej asnjëherë, çfarëdo gjëje që të bënim. Tani është e qartë.> shpjegoi e ngazëllyer, <Kjo fletë bën rolin e pllakës dytësore në lidhje me pllakëzën e pikës A. Është paralele me të dhe ka tension referues zero, sepse është e vendosur në tokë!> dhe tregoi të njëjtën pikë që tregonte më parë Kobayashi.

Duke ndjekur gishtin e vajzës, Drew pa që bordi i fletës së zinkuar prekte tubin e shkarkimit të lavamanit të shërbimit të laboratorit. Tubi metalik ishte i lidhur me sistemin e shkarkimit, që mbaronte në tokë, diku vërdallë. Pasi toka është referimi i tensionit zero për shumë sisteme ushqimi elektrik, ajo pllakë kishte marrë një rol të rëndësishëm në eksperimentin e çuditshëm të Drew-së.

<Nëse kjo pllakë nuk do kishte qenë këtu, ose e palidhur me tokën, dispozitivi im nuk do kishte prodhuar kurrë fenomenin që po studiojmë.> Vërejti Drew. <Çmenduri.>

<Këto janë kushtet që bëjnë të përparojë raca njerëzore, miku im.> deklaroi Kobayashi i kënaqur.

Drew u kthye nga studentët që i vëzhgonin të shpërqëndruar.

<Ti!> iu drejtua një djali me pamje të zgjuari, <Shko menjëherë të thërrasësh mësuesin tënd!>

<Nuk ka nevojë që të nxehesh shumë, Drew. Jam këtu prej kohësh.> Një zë i qetë dhe i paqëndrueshëm u shfaq nga mbrapa perdes së krijuar nga studentët, ndjekur pastaj nga pronari i tij.

<Oh, ehm, më fal, Morton...> ia bëri i sikletosur Drew, <është rasti që piastra jote është një element thelbësor i eksperimentit që po zhvillojmë poshtë. Të vjen keq ta lësh aty ku është për disa orë?>

<Nuk ka problem, koleg i dashur.> iu përgjigj Morton i rezervuar. <Vazhdo punën me qetësi. Por...> dhe e pa duke qeshur <...më detyrohesh një pije!>

<Mund të kesh besim, Morton, faleminderit.>

Ndërsa ktheheshin poshtë, Kobayashi bisedoi pak me Maokon, pastaj azhornoi Drew-në.

<Tani duhet të ndërtojmë një pllakë dytësore të përdorshme në mënyrë praktike. Do të na duhet një fletë katrore me brinjë prej njëzet centimetra dhe trashësi një milimetër. Do ta fiksojmë në një mbështetëse të rregullueshme dhe do ta vendosim fillimisht dhjetë centimetra mbi pllakën pika A. Kuptohet do ta lidhim në tokë, që të ketë të njëjtën sjellje elektrike të fletës së madhe në laboratorin e shkencës së materialeve.>