Kriteri I Leibnizit

Tekst
Loe katkendit
Märgi loetuks
Kuidas lugeda raamatut pärast ostmist
Šrift:Väiksem АаSuurem Aa

Drew u vu menjëherë në punë dhe në më pak se një orë pllaka dytësore ishte gati.

Kobayashi e sistemoi siç ishte projektuar, pastaj kërkoi në kutinë e mostrave diçka për të vendosur në pikën A. Kutia ishte plotësisht e zbrazët: kishin përdorur gjithçka që iu ishte vënë atyre në dispozicion.

<Nuk ke më asgjë ç’të përdorësh, Drew?> pyeti i paduruar Kobayashi.

<Lermë të shikoj...> Drew pa përreth dhe, duke mos gjetur tjetër gjë, mbërtheu një gotë plastike plot me gjilpëra transparente kristali dhe ia ofroi japonezit.

<Përdor këtë. Nuk e di ç’është, po besoj asgjë e veçantë.>

Kobayashi mbështeti gotën mbi pllakën e pikës A, pastaj, pa prekur asnjë rregullim, i bëri një shenjë Maokos.

Ajo shtypi tastin e aktivizimit dhe në çast një shpërthim i fuqishëm shkundi laboratorin.

Të gjithë u shtrinë përtokë të tmerruar. Drew nuk arrinte të merrte frymë dhe u lëshua drejt derës. E hapi dhe u kthye mbrapsht për të ndihmuar të tjerët.

Novak ishte shtrirë mbi dysheme me fytyrën përmbys, pa ndjenja. Schultz dhe Kamaranda po ngriheshin në atë moment; duke gulçuar ngritën norvegjezen, duke e kapur indiani nga sqetullat dhe gjermani nga këmbët, dhe e nxorrën jashtë.

Maoko dhe Kobayashi kishin dalë tashmë vetë përjashta dhe po merrnin ajër me frymëmarrje të thellë.

Drew e kishte marrë veten goxha mirë dhe nxitoi për tek Novak. Kamaranda po e shkundte fort, ndërsa Schultz i mbante këmbët pak të ngritura për të ndihmuar qarkullimin. Në pak sekonda gruaja u përmend dhe me ndihmën e kolegëve u ngrit në këmbë.

Ndërkohë kishin ardhur shumë persona nga zona rreth e qark.

Drew nxitoi të zvogëlonte ngjarjen për të mos tërhequr vëmendjen mbi studimin sekret në vijim.

<Shpërtheu një ushqyes, asgjë e rëndë. I dini këto punë, gjëra të vjetra, nuk ka para për të blerë të reja, dhe kështu ndodhin këto gjëra.>

Studentë e kolegë nga laboratorët e tjerë pohuan të kuptueshëm dhe, pasi panë që personat e ngatëruar në aksident ishin të gjithë mirë edhe pse lehtësisht të çoroditur, iu kthyen detyrave të tyre.

Në atë moment mbërriti profesoresha Bryce.

Kishte dëgjuar shpërthimin nga larg, ndërsa ishte drejtuar tashmë në laborator, dhe kishte nxituar të mbërrinte.

<Ç’farë keni ngatërruar?> pyeti e shqetësuar duke i parë të katandisur kështu, me rrobat e rrudhosura dhe flokët të ngatërruar.

<Nuk e dimë akoma.> u përgjigj Drew duke parë përreth i kujdeshshëm, për të qenë i sigurtë që nuk kishte mbetur ndonjë i huaj të dëgjonte.

U futën përsëri me kujdes në laborator.

Banaku i eksperimentit ishte në rregull.

Drew erdhi vërdallë nëpër ambient dhe papritur e pa!

Në zonën e freskimit, kana e ujit kishte shpërthyer.

Ishte një kanë prej dhjetë litra dhe nuk kishte mbetur asnjë copë nga plastika që e përbënte. Gjithçka përreth, objektet metalike ishin djegur dhe nxirrnin tym akoma. Muri ishte nxirrë dhe mbi dysheme njolla të lëngshme pa ngjyrë ishin përzier me pjesë të rëna nga pajisjet e dëmtuara.

<Po ç’farë keni bërë?> pyeti sërish Bryce.

Kamaranda, Schultz dhe Novak panë në mënyrë pyetëse Drew-në dhe dy japonezët.

<Ehh, kemi ndërtuar një pjesë të re për makinerinë, e kemi montuar dhe kemi provuar të transferojmë një mostër. Kaq.> tha i pasigurtë Drew.

Maoko dhe Kobayashi shikonin pa shprehje përpara vetes.

<Një mostër? Ç’farë mostre?> u informua e alarmuar Bryce.

<Ehm...> rifilloi Drew, <...në të vërtetë, mostrat kishin mbaruar, prandaj pashë vërdallë dhe gjeta një gotë plot me kristale trasparente në formë gjilpëre ... si këto këtu.> dhe tregoi një gotë identike me të parën, mbështetur mbi një raft.

Profesoresha Bryce u zverdh.

<Faqezi> bërtiti, <ai është jodur beriliumi!>

Të gjithë të pranishmit e panë me pamje budallai.

<Po nuk e kuptoni?> bërtiti ajo akoma më fort. <Joduri i beriliumit është shumë lagështithithës dhe reagon dhunshëm me ujin! Dhe reaksioni prodhon acid jodur, një nga acidet më gërryes që ekzistojnë! Jeni me fat që jeni akoma kokë e këmbë. Po si ju shkoi në mend ta drejtonit pikërisht brenda kanës së ujit?>

Dy japonezët vazhdonin të heshtnin, por Drew i pa në mënyrë kuptimplotë.

<Nuk ishte e mundur të parashikonim ku do përfundonte pika B me pllakën e re.> filloi Kobayashi me zë shpëthyes. <Ky ishte absolutisht eksperimenti i parë, dhe në bazë të kësaj do mundemi të fillojmë të kalibrojmë një shkallë dimensionale për përcaktimin e destinacionit.>

Maoko pohoi ftohtë.

<Po a e kuptoni rrezikun që na bëtë të kalojmë?> shpërtheu Novak. <Ajo mostër mund të përfundonte në çfarëdo vendi, edhe brenda një personi!>

<Pra?> u përball me të Maoko, <Ndoshta ju shkencëtare e madhe kishit një zgjidhje tjetër? Apo ndoshta na dhatë ndonjë element të nevojshëm për të kalibruar makinerinë? Jo! Prandaj ne duhet të eksperimentonim. Dhe rreziku duhej pranuar. Ishim edhe ne, në këtë laborator. Problemi i ju perëndimorëve është që për ju vdekja është gjëja më e keqe që mund të ekzistojë, ndërsa për ne lindorët është edhe një çështje nderi! Të vdesësh në mënyrë të ndershme, duke kryer një punë të madhe, është një nga vlerat tona supreme!> përfundoi japonezja e vogël me sytë e zjarrtë dhe duke shtrënguar grushtat.

Novak ishte gati ti përgjigjej, po Drew ndërhyri për të qetësuar shpirtrat.

<Qetësohuni, zonja. Në fakt, nuk di se si mund të kishim vepruar ndryshe, në mungesë të një teorie të konsoliduar. Po si mund të ketë përfunduar joduri i beriliumit në një laborator të fizikës?>

Askush nuk u përgjigj, por profesoresha Bryce morri gotën e mbetur dhe e largoi duke ikur. Atë mëngjes kishte mbërritur në mbledhje me dy gota, që do duhej t’i çonte pastaj në laboratorin e saj për disa eksperimente rutinë; i kishte mbështetur përkohësisht mbi raft. Të rënit të fikët dhe aktivitetet që pasuan, me shkëmbimet e mostrave midis laboratorit të fizikës dhe zyrës së saj, e bënë të harronte plotësisht jodurin e beriliumit.

Kapitulli X

Marron kishte qenë me fat.

Pjesën më të madhe të materialeve të nevojshme për ndërtimin e makinerisë e kishte gjetur në laboratorët e tjerë të fizikës dhe të inxhinjerisë elektronike. Pjesën tjetër e siguroi pranë një furnitori jo larg Universitetit, ku shkoi me biçikletë.

Të gjitha ishin brenda në një kuti me madhësi mesatare dhe e rëndë rreth një kilogram; pasi ishte mesditë tashmë shkoi të hante në mencën e Universitetit, duke marrë me vete kutinë.

Si çdo ditë, dreka në mencë për të ishte edhe një mundësi për të takuar Charlene. Sapo e pa me atë kuti dhe me një pamje të lodhur, ajo e kuptoi menjëherë që kishte diçka në lojë, me shumë mundësi e lidhur me sjelljen e çuditshme që Joshua kishte prej disa ditësh. Këto veprime të mistershme, ai tension i brendshëm që shfaqej pavarësisht sforcimeve të djaloshit për ta injoruar, e bindnin gjithmonë e më shumë që i dashuri i saj duhej të kishte një sekret të madh brenda, aq sekret sa nuk mund t’ia zbulonte as asaj.

Provoi ta ngacmonte.

<Si je?> filloi me ton qëllimisht të shqetësuar. <Jam e shqetësuar për ty, Joshua. Je i heshtur, nuk flet më për studimet e tua dhe nuk ke ardhur më as të më takosh në dhomë!> përfundoi me ligësi.

<Oh, ehm... më fal, e dashura ime,> provoi ta merrte me të mira, <po përgatis një dispozitiv pak të ngatërruar dhe jam shumë i përqëndruar te kjo gjë.>

<Pra nuk ke kohë për mua?> iu kthye ajo këmbëngulëse.

<Jo, jo!> nxitoi ta siguronte djaloshi. <Thjesht bëhet fjalë për një eksperiment kaq delikat që...> vështroi përreth me pamje të kujdesshme <... që vetëm unë po e provoj. Nëse shkon mirë, do të kem një sukses të tillë në studimet e mia që askush nuk do më barazojë!> përfudoi duke i pëshpëritur në vesh.

Nuk e kishte gënjyer dhe nuk i kishte zbuluar informacione të rezervuara. Ndihej me ndërgjegje të pastër dhe shpresonte ta kishte kënaqur.

<Ah, është kjo, atëherë.> Charlene iu përgjigj me lehtësim të rremë. Marron ishte një libër i hapur, për atë që kishte një instikt natyral në perceptimin e gënjeshtrave. Mbi të gjitha, duke studiuar psikologji ishte ndeshur me kërkime mbi mikro-shprehjet e fytyrës: ishte apasionuar aq shumë pas tyre saqë kishte ndërmarrë e pavarur studimin e gjithë materialit që kishte arritur të shtinte në dorë, paralelisht me kurset e rregullta të fakultetit të saj. E shihte qartë se Marron duhej të kishte vërtet diçka të madhe nëpër duar, po nuk ishte ajo që ai donte që ajo të besonte. Kishte më shumë, shumë më tepër sesa një rezultat i mundshëm brilant në studime. Diçka që e mbante djaloshin në ankth dhe në të njëjtën kohë e galvanizonte. Nëse ai nuk donte ose nuk mundej t’ia thoshte duhej të ishte një gjë vërtet shumë, shumë sekrete.

<Atëhere gjithçka është mirë, Joshua. Në rregull, kështu.> e gënjeu paturpësisht.

Marron morri frymë i lehtësuar dhe filloi të hante, duke besuar se ia kishte hedhur paq.

Charlene e kënaqi me një buzëqeshje të bukur dhe filloi të hante me pirun sasi të madhe nga sallata e saj.

‘Mendoj vërtet që do të të bëj një surprizë të bukur, i dashuri im!’ tha me vete, dhe filloi të bënte një plan për të dalë në krye të kësaj pune njëherë e mirë.

Nuk e duronte, absolutisht, që i dashuri i saj t’i mbante të fshehtë diçka.

Kapitulli XI

Marron mbaroi së ngrëni nga ora një, përshëndeti Charlene-ën dhe shkoi në laborator.

Gjatë rrugëtimit u kryqëzua me profesoreshën Bryce; kishte një pamje të thatë dhe e shpërfilli kur ai tentoi ta përshëndeste.

 

Sapo kaloi derën e kuptoi që duhej të kishte ndodhur diçka e rëndë. Profesorët i kishin rrobat të pista dhe të zbehura, ndërsa në laborator mbretëronte rrëmuja. Një tym ngjyrë akre dilte akoma nga metali i ngjitur me acidin, zona e freskimit ishte copë-copë dhe pajisje të shumta dukeshin të dëmtuara në mënyrë të pariparueshme. Për fat dispozitivi i shkëmbimit ishte i paprekur, falë një dollapi që e kishte shpëtuar nga shpërthimi.

Vuri re një humor të keq të përhapur dhe mbi të gjitha një armiqësi të shëmtuar midis Maokos dhe Novak, që shiheshin shtrembër.

Duke e parë që hyri, Drew e thërriti.

<E bëmë një gjuajtje, Marron.> i shpjegoi profesori me pamje të rëndë.

Drew i tregoi ngjarjet e mëngjesit dhe përfundoi me përshkrimin e aksidentit. Studenti dëgjoi me shqetësimin që i vinte në rritje.

<Profesor, kjo tregon që për çdo shkëmbim që do të bëjmë tani e tutje nuk do të dimë ku do jetë pika B.> Marron tregoi pasiguritë e tij. <Është shumë e rrezikshme, më duket. Si mund ta bëjmë?>

<Tani do e ndërpresim. Siç e sheh,> dhe këtu Drew tregoi veten e tij dhe kolegët e tij, <kemi të gjithë nevojë të rregullohemi dhe të hamë. I gjete materialet?>

Marron pohoi dhe mbështeti kutinë mbi një banak afër.

<Shumë mirë, Marron. Ti ke ngrënë, tashmë?>

<Sigurisht, profesor.>

Profesorët dolën dhe Marron mbeti vetëm.

U përpoq të sistemonte pak vërdallë por kjo punë ishte e vështirë. Hapi dritaret për të krijuar një korrent ajri që do largonte tymin e mbetur. Veshi një palë doreza, dhe duke përdorur fshesën dhe lopatën mblodhi të gjitha mbeturinat që arriti të gjente. Pjesët më të vogla me shumë mundësi ishin ngjitur në boshllëqet e mobiljeve dhe në këndet më të paarritshme të ambientit; nuk mund ti rikuperoje vetëm nëse çmontoje gjithçka dhe ta bëje rrëmujë laboratorin. Ato pjesë do t’i kishin gjetur në vitet e ardhshme, një nga një, punonjësit e pastrimit dhe studentët që do ndodheshin aty. Asnjë nga ata nuk do ta dinte si kishin përfunduar, pikërisht në vendet më të errëta, copa metali të gërryera dhe plastikë e përzierë.

Disa copa, në fund, nuk do gjendeshin kurrë. Ishin bërë pjesë e godinës dhe trashëgimi e heshtur e një eksperimenti që nuk mund të tregohej, por që ishte një gur historik në zhvillimin shkencor.

Pasi mbaroi së pastruari, Marron liroi plotësisht një banak dhe me një leckë të lagur me detergjent e bëri sipërfaqen të shkëlqyeshme dhe, pastaj i vendosi sipër materialet e blera, duke i rreshtuar mirë dhe duke i ndarë sipas llojit. Mungonin pjesët sipas masave që Drew po përgatiste.

Nga një tavolinë morri një kompiuter me karakteristika të njëjta me atë të përdorur për eksperimentin dhe e transferoi mbi banakun e pastër, pastaj instaloi në të, të njëjtin program si të tjetrit. Përfundoi instalimin me parametrat e ruajtur në disqe të masterizuar natën e zbulimit.

Pa që dërrasa e zezë ishte e mbushur me ekuacione, grafikë dhe vizatime të çuditshme që, mendoi, përpiqeshin të përfaqësonin konfigurime të mundshme të një shtrembërimi hapësiro-kohor. U përpoq të ndiqte fijen e arsyetimit të shprehur nga ajo punë, por vuri re që nuk ishte mbrujtur mjaftueshëm për të kuptuar gjithçka. Arrinte të kuptonte nga ishin nisur kërkuesit, sigurisht relativiteti i përgjithshëm, por zhvillimet i kishte të paqarta. Të shumta ishin korrigjimet, dhe nga kjo perceptonte që ato mendje të jashtëzakonshme luftonin me vendosmëri për të penetruar thelbin e këtij fenomeni ogurzi. Dalloi qartazi tre kaligrafi të ndryshme, që alternoheshin në mënyrë të rastësishme. Intuita e njërit ishte zgjidhja për problemin në të cilin tjetri ishte bllokuar, dhe puna në dërrasën e zezë përfaqësonte me dëshminë maksimale sesi tre profesorët bashkonin njohuritë e tyre në mënyrë që të arrinin një super-mendje të vetme, pa dashur që njëri të donte të mbivlerësohej ndaj tjetrit.

Ai ishte shpirti i vërtetë i kërkimit të grupit,dhe Marron ishte i lumtur që bënte pjesë në gjithë këtë.

Ishte akoma duke vëzhguar dërrasën e zezë kur arritën Maoko dhe Kobayashi. Po diskutonin me entuziazëm në japonisht me zë të ulët, për të plotësisht të pakuptueshëm. Nga toni i zërit dhe nga gjestet i dukej sikur kuptonte që Maoko donte që me çdo kusht të bënte diçka, ndërsa Kobayashi përpiqej ta kundërshtonte.

E panë dhe ndaluan së diskutuari.

<Oh, tungjatjeta, Marron-san.> e përshëndeti Kobayashi. <Mirë, ke sjellë materialet për makinerinë e dytë. Mund të fillojmë menjëherë ta ndërtojmë. Eksperimentet do t’i vazhdojmë më vonë.> përfundoi me theks, duke parë Maokon drejt në sy dhe duke cilësuar fjalën ‘më vonë’.

Vajza bëri një ngërdheshje dhe shkoi të merrte dispensën e vetë, që mbante edhe projektin e makinerisë.

Marron siguroi kavo të llojeve të ndryshme, vida, dado dhe një llojshmëri aksesorësh montimi, pastaj vendosi mbi banak mjetet e nevojshme: pinza, kaçavida, gërshërë, hapëse dhe madje një trapan elektrik për hapjen e vrimave.

Ai dhe Kobayashi filluan të birëzojnë pllakën e mbështetjes, ndërsa Maoko iu jepte treguesit për masat. Pastaj montuan kollonat e vogla që formonin skeletin e dispozitivit. Mbërthyen disa përbërës tek kollonat dhe i lidhën me një kuti bashkuese të kapur tek pllaka. Përgatitën me kujdes të madh një solenoid që formonte një qark rezonant së bashku me një kondesator të përbërë nga dy pllaka përballë njëra tjetrës, largësia e të cilave rregullohej përmes një vide mikrometrike. Rregulluan distancën në tre milimetra fiks, në të njëjtën vlerë në të cilën ishte kalibruar kondesatori i makinerisë origjinale.

Pas çdo faze montimi, Maoko kontrollonte që lidhjet dhe rregullimet të ishin të përshtatura në mënyrë perfekte me projektin.

Mbështetën gjeneratorin e tensionit të lartë mbi pllakën e mbështetjes dhe e lidhën me kutinë bashkuese dhe me solenoidin.

Parametrat që ndryshoheshin gjatë eksperimenteve vepronin mbi tensionin, mbi rrymën dhe mbi formën e valës së prodhuar nga gjeneratori, prandaj e ndërlidhën në kompiuter përmes një kablli komunikimi.

Ndërsa mbërthenin mbështetëset për dy rrjeta jonizimi, arriti Drew, i ndjekur me radhë nga Novak, Schultz dhe nga Kamaranda.

<Shikoj që keni ecur përpara. Përgëzime!> tha Drew duke vëzhguar punën e kryer. Shkoi të merrte një kuti dhe ia dha Marronit. <Këtu janë pjesët që kam ndërtuar në mëngjes. Më mungojnë akoma pllaka pika A dhe pllaka dytësore.> Pa Kobayashin, i pasigurtë.

Japonezi ia ktheu shikimin me një pamje të rëndë.

<Makineria duhet të jetë absolutisht e njëjta, Drew-san.> konfirmoi. <Nëse sjellja do të jetë njësoj me atë të makinerisë origjinale atëherë do të dimë që Efekti i Shkëmbimit është një realitet shkencor, i riprodhueshëm dhe i përdorshëm, përndryshe do të të duhet të lësh në harresë gjithçka që është bërë deri tani.

Norvegjezja, indiani dhe gjermani ishin tashmë tek dërrasa e zezë, të përqëndruar të gjithë tek një ekuacion i veçantë.

Drew i kishte duart e lidhura, dhe nuk kishte mundësi të tjera.

Shkoi tek banaku i punës mekanike dhe përgatiti të dyja pllakat.

Kur ia solli Kobayashit dhe shokëve, pa që gjithë gjërat e tjera ishin tashmë të montuara. Maoko po drejtonte Marronin në rregullimin përfundimtar të një largësie mikrometrike12.

<Pak më shumë... akoma... jo, shumë!> japonezja maste me një mikrometër dixhital hapësirën midis rrjetave të jonizimit. <Mbrapa ngadalë... akoma... ngadalë... ndalo! Edhe pak fare, po pak fare... kujdes...dhe...ndal!>

Marron tërhoqi menjëherë dorën nga vida mikrometrike, pa e përplasur.

Maoko u ngrit, morri frymë dhe pastaj u palos përsëri mbi banak, për të përsëritur masën dhe për të kontrolluar përpuethshmërinë me projektin.

<Katërqind e tridhjetë e shtatë mikron. Përkryer. Fikso vidën.>

Marron hapi dhe mbylli disa herë dorën, për të çliruar muskujt e kontraktuar, pastaj e afroi me ngadalë tek vida mikrometrike dhe me delikatesën maksimale shtrëngoi unazën e mbërthimit koncentrik me vidën. Po e mbante frymëmarrjen, për të mos kryer lëvizje të pakujdesshme me dorë. U tërhoq dhe pa Maokon.

Japonezja nuk i kishte hequr sytë nga mikrometri për asnjë çast të vetëm.

<Në rregull.> deklaroi duke parë me egërsi ekranin e mjetit.

Pa nga Drew.

<Sipas gjykimit tonë,> rifilloi duke parë Kobayashin, që pohoi, <ky rregullim është me shumë mundësi më kritiku në lidhje me projektin. Gjatë gjenerimit të energjisë që ndodh duke aktivizuar shkëmbimin, rrjetat prodhojnë një fushë të veçantë të jonizuar që shkakton një efekt dytësor mbi hapësirën rrethuese, bashkohet me pllakat pika A, të parën dhe të dytën, dhe në ndonjë mënyrë bën të ndodhë vetë shkëmbimi.>

<Kompiuteri i jep gjeneratorit të tensionit të lartë komandën të gjenerojë një impuls energjie me zgjatje prej gjysmë sekonde.> vijoi Kobayashi. <Kemi vënë re që po të ndryshosh parametrin e kohëzgjatjes ndikon pak mbi funksionimin. Efekti prodhohet gjithmonë në të njëjtën mënyrë, me kusht që kohëzgjatja të jetë të paktën dy të dhjetat e sekondës. Mbi këtë limit minimal nuk manifestohen ndryshime në rezultatin e shkëmbimit. Besojmë që fusha e jonizuar e rrjetave arrin në intensitet optimal kur përcaktohet të paktën kohëzgjatja minimale, vendoset K22-shi në 1123,08V dhe largësia e rrjetave në 437 mikron. Të tjera rregullime të sistemit ndryshojnë përmasën dhe formën e sasisë së shkëmbyer, ndërsa në lidhje me koordinatat e destinacionit është i nevojshëm eksperimentimi duke filluar nga pika e re B, që pllaka dytësore ka zhvendosur në këtë laborator.>

<Mirë.> pohoi Drew, i shqetësuar. <Vazhdojmë.>

Montuan pllakën A dhe pllakën A2, siç e kishin pagëzuar pllakën dytësore, dhe Maoko kontrolloi sërish të gjitha lidhjet dhe rregullimet.

Marron u ul përpara kompiuterit, hapi programin e duhur dhe provoi komunikimin me gjeneratorin. Funksiononte në mënyrë perfekte. U kthye drejt të tjerëve, pyetës.

Drew ishte si në gjemba. Gjthçka ishte gati për të provuar makinerinë e dytë, por ai kishte vërtet frikë se shkëmbimi mund të ndodhte me brendësinë e ndonjë personi. Do kishte qenë një fatkeqësi, një tragjedi për karrierën e tij dhe për të ardhmen e shkencës. Edhe për viktimën, në të vërtetë.

Kobayashi e shikonte siç një samurai do kishte parë një koleg që do hezitonte të vritej për nder. Drew perceptonte përçmimin e mikut të tij, por nuk mund të bënte asgjë. Nuk kishte frikë vetëm për vete, por edhe për gjithë të tjerët.

Maoko vuri duart në bel, anoi kokën dhe filloi ta shikonte shtrembër, e acaruar, në pritje.

Marron e shikonte, nervoz.

Drew hezitoi përsëri, i pasigurtë, por në fund vendosi.

<Mirë.> e vendosi. <Ta provojmë.>

Maoko iu afrua kompiuterit dhe vështroi nga Marron me shprehje kuptimplotë. Ai e kuptoi fluturimthi dhe u ngrit menjëherë, madje i lehtësuar që po i hiqej ajo përgjegjësi.

Maoko u ul dhe vendosi në çast të gjithë parametrat e nevojshëm, pastaj pa nga Drew.

<Një mostër, ju lutem.> tha me një zë të thatë si era që valëvitet në Malin Fuji.

Drew pa përreth, pastaj zgjodhi një prizëm të vogël prej qelqi dhe e mbështeti mbi pllakën parësore.

Maoko vështroi Kobayashin, i cili vëzhgoi për herë të fundit pajisjen për tu siguruar që të ishte çdo gjë në rregull dhe pastaj pohoi.

Japonezja afroi gishtin tek tasti i aktivizimit, zhvendosi shikimin mbi mostrën dhe bëri të shtypte tastin, kur një britmë e Novak e bllokoi në çast.

<Ndaloni> bërtiste duke vrapuar drejt banakut, e ndjekur nga Schultz dhe Kamaranda.

<Mos e aktivizoni makinerinë! Mos lëvizni.> urdhëroi nervoze.

Maoko tërhoqi dorën nga tastiera dhe pa me urrejtje nga Novak.

<Kemi kuptuar çështjen e koordinatave.> vazhdoi norvegjezja. <Është e lidhur direkt me largësinë midis pllakës parësore dhe asaj dytësore, sipas një funksioni matematik që do ta diskutojmë pastaj, po problemi është që sipas nesh ka edhe një lidhje të veçantë me gjatësinë e Plankut 13.>

Drew e pa i hutuar.

<Ç’doni të thoni, saktësisht?>

<Dua të them që disa nga parametrat tuaj famëkeq ndikojnë patjetër koordinatat e destinacionit, por vetëm nëse vendosen në vlera të përcaktuara saktë dhe sipas kombinimeve të përcaktuara mirë.> deklaroi Novak triumfuese. <Deri sot në mëngjes destinacioni ishte vendosur në zyrën e profesoreshë Bryce vetëm sepse referimi ndaj largësisë midis pllakës A dhe pllakës së madhe në katin e sipërm nuk modifikohej nga një kombinim i përshtatshëm parametrash. Kur keni montuar pllakën e re të vogël dytësore eksperimenti funksionoi njësoj, vetëm se duke qenë më e vogël largësia midis pllakave edhe largësia e shkëmbimit është afruar. Kemi zbuluar një funksion të përafërt në gjendje të shpjegojë këtë sjellje. Për fatin e të gjithëve, në eksperimentet tuaja nuk keni gjetur akoma kombinimet vendimtare. Ka tre parametra, K9-a, K14-a dhe R11-a, që sipas nesh përbëjnë një treshe të transferimit. Treshja zhvendos pikën B nga një pozicion i thjeshtë midis pllakës A dhe pllakës A2, korrigjuar me funksionin që sapo përmenda, në një vendndodhje në hapësirë plotësisht në mënyrë arbitrare. Dhe kur them arbitrare kam ndërmend ‘gjithkund’.> Kamaranda dhe Schultz konfirmonin gjithë energji.

 

<Do të thotë...> belbëzoi Drew.

<Dua të them, i nderuar profesor Drew, që duke konfiguruar në mënyrë të përshtatshme treshen, mund të lidhim pikën B në një vendndodhje të çfarëdoshme të universit të njohur.> përfundoi Novak me sytë e ndritshëm dhe pamje të egërsuar.

Drew ishte sterrosur. Kishte mbajtur frymën gjatë shpjegimit të shkencëtares dhe tani kishte mungesë oksigjeni.

Marron nxirrte djersë të ftohta për aq sa sapo kishte kuptuar, ndërsa Kobayashi dhe Maoko skërmiteshin të kënaqur. Kushedi pse.

<Gjatësia e Plankut hyn në ekuacionin e transferimit duke vendosur vendndodhje diskrete për pikën B.> shpjegoi Schultz. <Kjo shpjegon që, për shembull, mund të vendosim pikën B mbi sipërfaqen e Jupiterit, në koordinata me gjerësi 30 gradë Veri dhe gjatësi 125 gradë Lindje, por as një metër më përpara, më pas, sipër apo poshtë. Vendndodhja alternative më e afërt mund të jetë në njëqind kilometra largësi. Ju morra vetëm një shembull, kini kujdes, sepse shifrat reale duhet akoma t’i zbulojmë, gjithashtu nevojitet të eksperimentojmë treshet.>

<Pra...> guxoi Drew.

<Pra,> ndërhyri Kamaranda <nëse makineria që sapo keni ndërtuar ka qoftë edhe vetëm një ndryshim shumë të vogël konstruktiv ose rregullimi, vendndodhja do të jetë e zhvendosur krahasuar me atë që presim. Në vend që të jetë ku u shkatërrua kana e ujit, pika B do gjendet diku tjetër, dhe madhësia e zhvendosjes do jetë në përpjestim me gjatësinë e Plankut, sipas funksionit që sapo kemi zbuluar.>

<Makineria është e njëjtë!> bërtiti Maoko me inat, po Kobayashi i vuri një dorë mbi krah për ta qetësuar.

<Kemi rrjetat e jonizimit në 437 mikron gap14.> tha japonezi. <Mikrometri i përdorur për të kalibruar gap-in e ka rezolucionin një mikron, prandaj vlera e saktë mund të shkojë nga 436,5 në 437,4 mikron15. Hamendësojmë që gap-i është në të vërtetë baraz me 436,9 mikron. Ku do të ishte pika B?>

Novak, Kamaranda dhe Schultz shkuan tek dërrasa e zezë, fshinë një zonë jo të domosdoshme dhe zhvilluan funksionin në bazë të të dhënave reale të marra. Ekuacioni ishte kompleks dhe iu deshën disa minuta, pastaj Schultz shënoi në një fletë rezultatin dhe të tre u kthyen tek banaku.

<Duke supozuar të mos kapim një treshe,> deklaroi gjermani, <pra duke i lënë parametrat siç janë, pika B do të ishte në rreth 18,6 metra krahasuar me kanën e ujit. Drejtimin e zhvendosjes nuk dimë akoma ta përcaktojmë, pra imagjinoni të keni një sferë me rreze 18,6 metra dhe si qendër kanën. Epo mirë, pika e re B do të gjendet në një pikë të çfarëdoshme të sipërfaqes së sferës.>

Drew pa jashtë nga dritarja.

Ishte errësirë, tashmë. Pak njerëz qarkullonin nëpër korridorët e Universitetit afër laboratorit. Në katet e sipërme me shumë gjasa nuk kishte më njeri, ashtu si edhe në ambientet e afërta. Por, sipërfaqja e sferës imagjinare kalonte edhe nën tokë.

Mund të kishte tubacione gazi, atje? Drew mendonte që jo. Një ndjenjë shtypëse e pafuqishmërisë përzier me dorëzimin e pushtoi atë. I dukej sikur kishte një gur në kraharor që i pengonte frymëmarrjen. Shkoi tek dera, e hapi dhe doli në ajrin e mbrëmjes së Manchesterit të tij. Thithi ajër me frymëmarrje të thellë, në mënyrë të përsëritur, ndërsa të tjerët e shikonin nga brenda.

A mund ti kërkonte McKintockut autorizimin për të kryer një eksperiment të këtij lloji? Jo, skocezi do e kishte tallur që kishte ngritur peshë gjithë këtë trazirë dhe pastaj që nuk ishte i zoti ta kontrollonte.

Duhej të merrte përsipër përgjegjësitë e veta, po ashtu edhe rreziqet e lidhura me këtë.

U fut brenda dhe iu kthye Schultzit.

<Cila do të rezultonte rrezja e sferës imagjinare në rastin kur gap i rrjetës së jonizimit do ishte 436,5 mikron? Po në 437,4?>

<Rreth 62 kilometra në rastin e parë, dhe 15 në të dytin.> E kishin llogaritur tashmë, të kujdesshëm. <Dhe nëse gap do ishte 436,99 sfera do të kishte një reze prej pak metrash, duke prerë pikërisht trupat tanë.> shtoi në fund Schultz.

Drew shqeu sytë për një sekondë, pastaj e pushtoi një lloj mpirjeje.

Si mund të eksperimentonte me një toleranzë kaq të gjerë?

Nuk mundej. Dhe në të njëjtën kohë nuk kishte zgjidhje tjetër.

<Ta bëjmë.> tha me zë të rëndë, duke ulur kokën poshtë dhe duke parë dyshemenë me sytë e zbrazët.

Të gjithë u vendosën përreth banakut të makinerisë së dytë. Novak nxirrte djersë të ftohta, ndërsa Marron qëndroi pak më larg, sikur kjo gjë mund ta mbronte në ndonjë mënyrë.

Maoko vëzhgoi përsëri edhe një herë gjithë sistemin, pastaj shtypi tastin me vendosmëri.

Një masë e kuqe dhe e dendur u shfaq në vend të prizmit prej qelqi, e tretur, dhe filloi të kullonte ngadalë poshtë pllakës.

Plluq.

Plluq.

Të pranishmit u zverdhën pothuajse të gjithë.

Drew volli atje ku gjendej, duke rënë pastaj në gjunjë mbi të vjellat e veta.

Novak-ut iu prenë këmbët dhe u mbajt tek një raft afër, e zbehtë si një e vdekur.

Kamaranda dhe Schultz ishin ngurtësuar, ndërsa japonezëve nuk iu lëvizi as një fije floku.

Marron kishte hapur sytë dhe gojën, i tronditur.

Por, pas disa sekondave, duke parë masën e kuqe vuri re diçka.

U afrua për të vëzhguar më mirë.

Atje kishte diçka, në mes të atij qulli.

Morri një pincë, dhe me kujdes shumë të madh e zhyti në masë.

Hezitoi një moment, pastaj mbylli sqepat e veglës mbi një pjesë të fortë.

Me kujdes të madh tërhoqi pincën dhe vendosi mbi banak mostrën e marrë.

Të tjerët ndiqnin lëvizjet e tij si në kllapi, përveç Drew-së që ishte akoma i gjunjëzuar, i tronditur.

Marron ekzaminoi objektin për disa çaste, pastaj morri një vazo të vogël qelqi dhe e mbushi me ujë nga një rubinet afër.

Kapi përsëri mostrën me pinca dhe e zhyti në ujë, duke e mbajtur aty. E tundi disa herë për ta larë, dhe uji në vazon e vogël u bë i kuq.

Me ngadalë ngriti pincën duke zhytur mostrën e pastruar.

Një buzëqeshje iu pikturua në fytyrë, dhe nxorri një psherëtimë çlirimi të zëshme.

<Profesor.> thirri, <Profesor Drew...>

Drew shkundte kokën, i kthyer me kurriz, sikur nuk donte t’ia dinte.

<Profesor.> thirri përsëri Marron. <Është çdo gjë në rregull, profesor. Ejani të shikoni.>

Drew u ngrit lart me mundim, pa dëshirë, dhe ngurrues iu afrua banakut.

Ajo që pa e la të ngurrosur.

Marron mbante me pincë një copë qese të kuqe, pas së cilës ishte ngjitur një etiketë e stampuar.

<Kjo është salca me domate që vendos çdo ditë mbi biftekun tim.> shpjegoi studenti. <Menca e Universitetit e blen drejpërdrejt në Itali, nga një prodhues artizanal, dhe e mban në një dhomë frigoriferike nja njëzet metra në lindje nga këtu.>

<Është shumë e mirë, e dini?> përfundoi. <Është e aromatiuar me rigon, erëzën time të preferuar.>

Kapitulli XII

Maoko po hynte në banesën e vetë, duke ecur nëpër bulevardët e universitetit të ndriçuar butësisht nga ndriçues rrugor të stilit viktorian. Ajri i mbrëmjes ishte i ftohtë dhe energjik, pas një dite si ajo e sotmja.

Ishte shumë e lodhur, po në të njëjtën kohë e emocionuar për rezultatet e arritura.

E pabesueshme që në një ditë të vetme kishin arritur të ndërtonin një makineri të dytë funksionuese dhe madje të siguronin një skicë të teorisë së fenomenit. Drew e kishte zgjedhur mirë grupin e tij, dhe bashkimi i këtyre kampionëve kishte prodhuar një rezultat të jashtëzakonshëm.

Ishte e lumtur që Kobayashi e kishte marrë me vete. E dinte që kishte dhënë një kontribut të vlefshëm për kërkimin dhe kjo e mbushte me krenari. Mbi të gjitha, kishte arritur të kalibronte gap-in e rrjetës së jonizimit me vetëm 0,1 mikron gabim, vlerë jashtëzakonisht e vogël pasi kishte përdorur një mikrometër me rezolucion të një mikroni.