Kriteri I Leibnizit

Tekst
Loe katkendit
Märgi loetuks
Kuidas lugeda raamatut pärast ostmist
Šrift:Väiksem АаSuurem Aa

Mbërriti përpara derës së saj, në atë zonë goxha të izoluar të kompleksit. Rrotulloi çelësin në bravë dhe e hapi. Po hidhte hapin e parë drejt hyrjes kur një zhurmë hapash të shpejtë e bëri të kthejë kokën.

Nga errësira u shfaq Novak, që i doli përpara me sytë flakërrues.

<Zonjusha Yamazaki!> e theksoi me vrazhdësi. <Si mundët, sot, të më drejtoheni mua në atë mënyrë? Ju, një studente e thjeshtë!> Me tërsëllim bëri një hap përpara duke kaluar kështu pragun e banesës.

<Në kaq vite mësimdhënie nuk kam takuar kurrë asnjë të pafytyrë si ju!> vijoi me përçmim. <Ndoshta në vendin tuaj prej ngrënësish orizi jeni mësuar të keqtrajtoni njëri tjetrin po këtu në perëndim pffff...!>

Maoko i kishte përplasur një dorë mbi gojë, duke ia mbajtur të mbyllur me forcë. Me dorën tjetër i kapi kyçin e djathtë dhe njëkohësisht fiksoi sytë e saj drejtpërsëdrejti tek ata të norvegjezes. I shqeu në mënyrë jonatyrale, pa përplasur qepallat, dhe bebet e zeza dukeshin sikur po zmadhoheshin pafund, duke rrezatuar një lëng hipnotizues që hynte në sytë e Novak dhe e paralizonte në mënyrë të vazhdueshme.

Me një këmbë i dha një shkelm derës duke e mbyllur, pastaj, duke fiksuar norvegjezen, ia hoqi me shumë ngadalë dorën nga goja.

Novak mbeti e palëvizur, me buzët gjysmë të hapura dhe sytë të çakërdisur.

Maoko i hoqi me kujdes çantën nga supi, pastaj ngadalë i kapi kyçin e majtë dhe e vuri sipër atij të djathtë që tashmë e kishte, duke i kryqëzuar dhe i mbajtur të shtrënguar me një dorë.

Pa shkëputur shikimin, me dorën e lirë rrëmoi në një çantë kashte mbështetur në një mobilje afër dhe nxorri që aty një top litari jute. U përpoq të gjente fillimin e duhur, e kapi dhe me shkathtësi lëshoi në tokë pjesën tjetër të topit.

Me ngadalë i mbështolli disa herë litarin rreth njërit kyç, pastaj filloi të mbështillte tjetrin dhe në fund bëri edhe disa mbështjellje mbi kryqëzimin e kyçeve, duke e përfunduar me një dopio nyje.

Novak ishte plotësisht pasive.

Maoko lëshoi pak litarin të lirohej, në mënyrë që ta mbante në tension me kyçet e norvegjezes të ngritura në lartësinë e barkut.

U përkul lehtësisht mbi gjunj dhe me dorën tjetër morri topin, pastaj me një lëvizje shumë të shpejtë të syve morri nishan dhe me hedhje mjeshtërore e hodhi mbi një ganxhë të trashë prej hekuri, çimentuar në tavan, nga e cila varej një llampë me pamje antike.

Nga topi që i kishte rënë afër kapi fundin tjetër të litarit, dhe me të dy duart filloi të tërheqë dalngadalë, duke i ngritur kyçet e Novak për nga lart.

Vazhdoi të tërheqë, një pëllëmbë pas tjetrës, derisa krahët e norvegjezes iu ngritën sipër kokës dhe filluan të tendosen. Novak nxorri një rënkim të zymtë por pushoi menjëherë, duke vazhduar të fiksonte përpara vetes me sy të zbrazët.

Maoko tërhoqi përsëri, më me ngadalë por me qëndrueshmëri. Krahët tashmë të drejtuara ishin të tendosur në maksimum dhe po fillonin të ngrinin peshën e trupit. Novak filloi të rënkonte me zë të ulët, pa ndërprerje, ndërsa balli po i mbushej me pika djerse.

Maoko tërhoqi edhe pak, deri sa këmbët e norvegjezes filluan të ngriheshin me një kënd rreth gjashtëdhjetë gradë ndaj dyshemesë. Në atë çast lidhi ekstremitetin e lirë të litarit pas një mbajtëseje peshqirësh të ngurtë që dilte nga muri, përbri lavamanit të aneksit të kuzhinës.

Nxorri nga çanta prej kashte një copë litari më të shkurtër dhe i lidhi fort kyçet e këmbëve të Novak, njëra pas tjetrës, pastaj u ngrit të kqyrte punën e saj.

Norvegjezja varej nga tavani, e tendosur dhe në mënyrë vertikale të përsosur, dhe mbështetej ngurtësisht mbi majat e këmbëve, e vetmja mbështetje e mbetur.

Nuk rënkonte më. Tani merrte frymë ngadalë, duke gulçuar, ndërsa gjithë trupi i ishte mbushur me djersë nga tensioni muskular.

Këmisha i kishte dalë nga fundi, duke lënë zbuluar një pjesë të barkut të djersitur.

‘Jo keq.’ komplimentoi me veten e saj Maoko.

Mbylli me çelës derën e hyrjes, hoqi xhaketën dhe këpucët dhe shkoi në banjë, pastaj përgatiti një çaj japonez. Përtypi me shije biskotat e saj, në fund u ul në kolltuk me një roman. Kishte qenë një ditë shumë e gjatë dhe e lodhshme; e kishte të nevojshme të shplodhej. Ngjarjet dashurore të protagonistes së librit e çuan në një botë imagjinare por edhe shumë reale; japonezët kanë një ndjeshmëri të veçantë për nuancat, detajet, dhe një nivel introspekti të lartë. Gratë, sidomos, i kushtojnë kujdes vazhdimisht dhe ndërveprojnë me ambientin thellësisht. Midori ishte një studente letërsie e dashuruar me Noboru, një peshkatar i ri që jetonte në një fshat bregdetar njëqind kilometra larg. Ishin njohur në një park, një vit më parë, me rastin e çeljes së qershive 16, dhe ishin dashuruar marrëzisht. Çdo mendim i saj ishte edhe mendimi i tij; kishin zbuluar që kuptoheshin kaq mirë saqë mund të konsideroheshin tashmë si një person i vetëm, i pandashëm. Por, Noboru kishte një punë shumë të vështirë. Dilte me varkë natën vonë, me shokët, për të peshkuar, dhe deti ishte shpesh i trazuar. Një nga djemtë kishte rënë nga varka, një herë. Bërtiste, në errësirë, por ata nuk arrinin ta shikonin. Kishin hedhur disa jelekë shpëtimi drejt zërit, por dallgë pas dallge ai zë ishte larguar akoma më shumë. Derisa u bë qetësi. Vetëm shkumbimi indiferent i dhunshëm i dallgëve mbi anët e varkës, dhe një rrjetë e hedhur në detin e errët.

Je me ne, Ryuu,

je me ne.

Çdo natë do vijmë tek ti në det të zi,

dhe e dimë që ti atje na pret

me krahët e tu të fortë.

Mbi varkë do ngjitesh si shkuma e valës

e përbri nesh,bashkë me ne do tërheqësh rrjetat,

si netëve të kaluara,

kur sytë dhe buzëqeshja jote

na lumturonin të përballeshim me stuhinë.

Noboru kishte shkruar këtë elegji për mikun e tij të humbur, dhe ia kishte shkruajtur në një nga letrat e shumta drejtuar Midorit. Ajo kishte qarë, për atë, dhe për Ryuu-n, edhe pse nuk e kishte njohur kurrë. Noboru ishte një poet, me një shpirt të ëmbël dhe të ndjeshëm, por jeta që bënte nuk e lejonte të shprehte talentin e tij siç do e kishte merituar.

Edhe për këtë qante ajo, bijë e një familjeje të pasur, me mundësi për të studiuar dhe udhëtuar, por e detyruar të fshehë lidhjen e saj sepse prindërit nuk do ta kishin pranuar kurrë që të martohej me një peshkatar të varfër. Noboru nuk kishte familje; e kishin braktisur të sapolindur dhe kishte kaluar nga një jetimore në tjetrën, derisa ishte rritur mjaftueshëm që të mund të punonte. Ekonomia e fshatit në të cilin jetonte ishte bazuar tek peshkimi, dhe të bëhej peshkatar kishte qenë pra fati i tij i pashmangshëm. T’i telefononte nuk mundej, sepse prindërit e Midorit do kishin mundur të zbulonin gjithçka. Atëhere i shkruante nëpërmjet një shoqeje kursi, që i kalonte letrat e marra dhe dërgonte ato të drejtuara atij.

Ditën kur ishin takuar për herë të parë, në park, një gushëkuq endej afër tyre, duke çukitur dheun dhe duke i parë herë pas here. Midori ishte bindur në atë çast që zogu do kishte qenë lajmëtari i tyre. Çdo mbrëmje dilte në kopësht dhe takonte gushëkuqin e parë që i dilte, dhe i fliste, i thoshte ç’farë t’i tregonte Noborut, dhe dëgjonte cicërimën, që i çonte mesazhin larg të dashurit të saj. Pastaj, natën, ngrihej dhe hapte dritaren, shumë ngadalë për të mos bërë zhurmë, dhe linte veten të mbështillej nga era, e njëjta erë që ajo mendonte se po tundte velat dhe flokët e të dashurit të saj, pikërisht në atë çast.

‘Ah, Midori, Midori,’ mendoi Maoko, ‘sa romantike je. Dhe e trishtuar.’

Zhbiroi norvegjezen për të parë si po ia kalonte.

Jo keq, mund të thuhej. Kishte mbyllur sytë dhe po merrte frymë rregullisht, pa rënkuar. Ishte përshtatur me pozicionin. Ndonjëherë lëvizte lehtësisht majat e këmbëve për të rregulluar ekuilibrin e pasigurtë. Ishte atje prej gjysmë ore, tashmë.

‘Hajt, ta çojmë të flejë këtë gaijin17’. i tha vetes, ‘Erdhi ora.’

Mbështeti librin dhe iu afrua qetësisht Novak-ut. Ajo u duk sikur nuk e vuri re.

Maoko morri me të dy duart litarin e tendosur, në vendin ku ngjitej nga pika e fiksimit mbi mbajtësen e peshqirit lart deri tek ganxha në tavan, dhe e tërhoqi me vendosmëri për disa centimetra. Norvegjezja hapi menjëherë sytë dhe ulëriu me një zë hundor; fyti i ishte tharë tashmë prej kohësh’.

E mbajti litarin të tërhequr për nja njëzet sekonda, pastaj me ngadalë e lëshoi të binte. Novak nxorri frymë me zhurmë nga goja dhe lëkundi kokën përpara, duke e lëvizur nga e djathta në të majtë, duke e tërhequr lart dhe duke e lënë të bjerë përsëri.

Maoko afroi një karrige pas norvegjezes, pastaj zgjidhi litarin nga mbajtësi i peshqirit dhe filloi ta lëshonte pak nga pak. Hap pas hapi që Novak zbriste, ajo e shtynte drejt karriges në mënyrë që ajo të ulej. Kur më në fund Maoko lëshoi litarin, Novak prehej mbi karrige me duart të lidhura në bark, këmbët të përkulura anash, dhe koka e varur nga prapa në mbështetësen e karriges.

Maoko mbushi një gotë ujë dhe duke i ngritur kokën me një dorë i dha të pinte me gllënjka të vogla. Uli gotën dhe i zgjidhi kyçet, pastaj zgjidhi nyjet në duar dhe çmbështolli të gjitha rrotullimet e litarit, duke e liruar.

Shenjat e lidhjeve ishin ngjyrë e kuqe e errët dhe të thella. Maoko filloi ti masazhonte duart me një lëvizje delikate por të rehatshme. Fillimisht norvegjezja u ankua pak, por pastaj u qetësua, duke ndjerë që qarkullimi i gjakut po normalizohej përsëri. Maoko vazhdoi masazhin edhe për një minutë tjetër, pastaj duke e mbajtur nga duart e ngriti në këmbë. I morri çantën dhe ia vendosi mbi sup. Ndërsa po linte rripin e çantës Novak i mbështeti me delikatesë një dorë mbi të sajën, me fytyrën që i shprehte mirënjohje të përzjerë me një manifestim konfuzioni të brendshëm.

 

Maoko e pa në sy.

<Shko të flesh, Novak.>

<Unë...> u përpoq norvegjezja, me zë hezitues.

<Shko të flesh, Novak.> përsëriti Maoko, duke tërhequr dorën dhe duke hapur derën.

Novak qëndroi një moment, e pavendosur, pastaj ngadalë iu afrua pragut, mbështeti një dorë mbi tavolinë dhe u kthye të shikonte përsëri Maokon.

Mbi fytyrën e japonezes ishte pikturuar një shprehje e padeshifrueshme.

Norvegjezja u kthye, nguruese, dhe me hapa të pasigurtë u drejtua nga banesa e saj, pak më përpara.

Kapitulli XIII

<Po si je sajuar kështu?!> i bërtiti Timorina Drew-së duke parë të vëllain që hynte në shtëpi.

Drew pa veten për herë të parë, atë mbrëmje.

Pas provës së makinerisë së dytë, me incidentin përkatës të salcës me domate, kishte larguar të gjithë dhe kishte pastruar dyshemenë e laboratorit nga e vjella e tij. Nuk do kishte mundur t’ia kërkonte këtë asnjë tjetri për ta bërë, as edhe dikujt nga pastrimi. Si do ta kishte shpjeguar një gjë të tillë? Do kishte bërë një figurë të keqe, në çdo rast. Ndërsa, duke bërë kështu, askush nuk do vinte të hetonte.

Por, në fund, e kishte xhaketën dhe këmishën të ndotur me të vjella të verdha dhe me kokrriza. Pantallonat, madje, ishin një tmerr i papërshkrueshëm. Nga gjunjët e poshtë ishin përlyer me një përbërje me erë të keqe e të pështirë, rezultat si i vjelljes ashtu edhe i pastrimit që bëri.

Drew nuk kishte qenë i kujdesshëm të mos bëhej edhe më tepër pis dhe ky ishte rezultati. Një kostum i errët i shtrenjtë ishte në kushte të dëshpëruara, dhe motra e tij do e bënte të paguante për këtë.

<Jam ftohur. Nuk kam qenë mirë. Ç’farë mund të bëj?> gënjeu duke u përpjekur të justifikohet.

<Ah ashtu?> qe përgjigjja e duruar e motrës. <Sapo kam mbaruar së sistemuari kostumin tjetër, atë që pa më thënë asgjë e ke lënë sot në mesditë mbi shtrat!>

Drew u drithërua. Eh, po. Ishte edhe veshja e përfshirë në shpërthimin e mëngjesit.

Toni qortues u rrit.

<Ai ishte vetëm i plurosur dhe i zhubrosur. Vetëm, fjala që bie, sepse duhen orë për të larë dhe hekurosur xhaketën në mënyrë perfekte, pantallonat, këmisha dhe kravata. Ti mesa duket nuk e kupton, përndryshe nuk do e kishe bërë edhe këtë!> tha duke treguar me dorë drejt tij.

Drew nuk u përgjigj dhe shkoi direkt në banjo të zhvishej. I hoqi të gjitha. Futi këmishën e bardhë dhe bluzën e brendshme në lavatriçe. Nuk lante kurrë rrobat, prandaj u përpoq të orientohej: rrotulloi dorezën e programimit tek simboli i të pambuktave dhe filloi ciklin. Futi xhaketën dhe pantallonat në vaskën e dushit dhe me tubin e dushit lau gjithë të vjellën. Përdori ujë të ftohtë sepse, mesa dinte, nuk i mblidhte rrobat. Shpresonte që kishte vepruar në mënyrën e duhur. I la të gjitha në banjo dhe bëri një dush, pastaj shkoi në dhomë të gjumit dhe veshi pizhamat. Pikërisht në këtë moment pati një iluminim. Detergjenti! Nuk kishte hedhur detergjent. Vrapoi drejt banjos, por tashmë ishte shumë vonë. Timorina ishte atje dhe po shikonte nga dera e lavatriçes, duke tundur kokën. U ngrit dhe pa nga Drew me pamje vetëpërmbajtjeje, duke vazhduar të tundte kokën.

<Shko fli, Lester. Merrem unë, me këtë.> përfundoi e dorëzuar.

Drew psherëtiu dhe u tërhoq në dhomën e tij.

Sikur ta kishte ditur Timorina për atë që kishte ndodhur atë ditë në laborator! Të rënë të fikët, shpërthime, terror dhe tronditje. Por edhe fitore e shkencës! Një hap përcaktues drejt një epoke të re të historisë njerëzore. E dinte që ishte një idealist, por ndiente brenda vetes që tashmë ishin nisur drejt suksesit dhe ato incidente ishin shumë pak krahasuar me rezultatin e jashtëzakonshëm që i priste.

U fut në rroba në shtrat.

Dëgjonte Timorinën në banjo që kalonte një furçë mbi rrobat, për t’i pastruar me themel. Po, kështu duhej bërë. Po ai, nga ta dinte? Mendonte për fizikën, ai, për majat stratosferike të mendimit, për pushtimet e mendjes, për mbledhjen e së nesërmes për të përcaktuar pikën e kërkimit...

Ra në gjumë duke lënë dritën të ndezur.

Ëndërroi sikur ishte në një dhomë të verdhë, menjëherë pas në një dhomë të kuqe, pastaj përsëri në të verdhën dhe pastaj në të kuqen, duke kaluar nga njëra tek tjetra papritur, pa tranzite të perceptueshme, me shpejtësi rritëse, gjithmonë e më shpejt, derisa filluan t’i merreshin mend dhe nuk pa më asgjë. Në sfond ndjente një gurgullimë uji të përzier me zëra të acaruar që flisnin çmendurisht, por ai nuk kuptonte se ç’farë thonin. Ishte i burgosur në atë vorbull ngjyrash dhe zërash, i mërzitur, i paaftë të mendonte ose të ndërmerrte çfarëdo lloj veprimi, kur papritur u zgjua.

Zilja e orës binte shpërthyeshëm, duke përplasur shkopin e saj mbi këmbanën e madhe prej tunxhi dhe duke u zhvendosur madje mbi komodinë, falë vibrimeve të shkaktuara nga mekanizmi në veprim.

Drew u ngrit menjëherë, mbuluar nga djersët, i tronditur, plotësisht i çorientuar. Nuk e dinte se ku ndodhej, lëvizte në kërkim të ajrit duke tundur krahët rreth vetes. Pas disa sekondave filloi të rikthehej; shkundi kokën për të qartësuar trurin dhe u rrotullua të shikonte orën. Duke lëvizur, kishte arritur në buzë të komodinës dhe ishte gati të binte. E kapi në kohë dhe shtypi butonin e pushimit të ziles.

Qëndroi me orën në prehër për disa minuta, akoma i hutuar, pastaj e mbështeti në komodinë dhe u ngrit. Ishte ora shtatë e gjysmë; mbledhja ishte në orën nëntë, ndaj me qetësi bëri një dush tjetër për të hequr gjithë atë djersë nga trupi, hëngri një mëngjes të mirë dhe doli. Për fat Timorina ishte tashmë duke ujitur lulet e saj në pjesën e kopshtit nga prapa shtëpisë, prandaj duke dalë nga përpara ai arriti të mos e pikasnin. Kishte shmangur një tjetër qortim.

Ishin të gjithë, në laborator, përfshirë edhe McKintock-un.

<Si është situata?> u informua rektori.

Drew morri fjalën, i sigurtë në vetvete.

<Madhështore, për të përdorur një eufemizëm. Dje kolegët e mi > dhe me një hapje të gjerë të krahut përfshiu shkencëtarët e tjerë, madje edhe Marron <kanë arritur, në një ditë të vetme, të nxjerrin një teori bazë të fenomenit, të ndërtojnë një prototip të dytë të makinerisë dhe të kryejnë eksperimente të shumta shkëmbimi të kurorëzuara me sukses.>

McKintock ishte sinqerisht i impresionuar.

<Pra kur mund të fillojmë të përdorim makinerinë për qëllime praktike?>

<Jemi në fazën e teorisë bazë, që kërkon përmirësime.> vuri në dukje Drew. <Nuk duhet të duhet shumë, para se të mund të projektojmë dhe pastaj të ndërtojmë një makineri më të madhe.>

Schultz dhe Kamaranda u panë për një çast, të ngrysur në fytyrë, po McKintock nuk i vuri re.

<Mirë. Faleminderit të gjithëve. Drew, po shkoj në zyrë. Pres lajme.>

<Ehh, një minutë, McKintock.> e ndaloi Drew.

Rektori ishte tashmë tek dera dhe u kthye me pamje pyetëse.

<Në një nga eksperimentet e djeshme kemi marrë rastësisht, po e përsëris rastësisht, një copë nga shishja e salcës së domates të magazinës të mencës, këtu afër.> shpjegoi Drew. <Do ishte e përshtatshme të hiqnim gjithë shishen e mbetur para se dikush ta shikojë dhe të bëjë pyetje.>

<Vetëm kaq?> tha i zbavitur rektori. Shkoi tek telefoni i brendshëm dhe thërriti sekretaren e tij.

<Miss Watts? Jam unë, mirëdita. Mund të jeni aq e sjellshme sa të më sillni menjëherë çelësat e magazinës së mencës? Përpara derës së magazinës, faleminderit. Po. Faleminderit sërish.>

Pa studentin.

<...Marron!> e thirri në emër, pas një çasti pasigurie.

Marron vërejti menjëherë, krenar që rektori ishte kujtuar se si quhej.

<Ndiqmë!> urdhëroi McKintock si babaxhan.

Dolën dhe shkuan përpara magazinës të mencës. Pas disa minutash erdhi një punonjës me biçikletë dhe dorëzoi çelësat e kërkuar, pastaj iku po aq shpejt siç erdhi.

<Ja këtu.> McKintock i vuri çelësat në duart e Marronit. <Hape, merr atë që duhet të marrësh, mbylle me kujdes dhe pastaj silli menjëherë çelësat sekretares sime. Gjithçka e qartë?>

<Sigurisht. Faleminderit, rektor McKintock.>

Rektori e përshëndeti dhe shkoi drejt zyrës së tij, duke kënduar nën zë.

Marron hyri dhe gjeti menjëherë paletën me salcë domate. Shishja e dëmtuar ishte lehtësisht e arritshme, për fat. E morri dhe konstatoi që prizmi i transferuar ishte brenda salcës. E pastroi sa më mirë duke përdorur shami letre që kishte me vete, pastaj mbylli derën dhe shkoi të kthente çelësat. Gjynah për atë salcë të çuar dëm, tha me vete. Ishte vërtet e mirë.

Duke hyrë në laborator pa që atmosfera ishte mjaft e zymtë.

<Problemi është këtu.> po thoshte Schultz, duke treguar dërrasën e zezë. <Treshja e transferimit shfaqet plotësisht e përcaktuar nga parametrat K9, K14 dhe R11, por funksionimi që e drejton tregon qartazi që energjia e nevojshme për shkëmbimin rritet me kubin e largësisë.>

<E shoh.> vërejti Drew duke vëzhguar funksionin. <Keni llogaritur ndonjë rast praktik?> <Unë dhe Kamaranda kemi ndenjur zgjuar deri në orën dy të natës për të gjetur një shteg të kësaj sjelljeje të sistemit, po nuk ia kemi dalë akoma. Tani për tani, për të shkëmbyer në 100 kilometra largësi shërbejnë 64 kilovat, që nuk janë shumë, por për të shkëmbyer në 200 kilometra nevojiten 512. Është energjia që përdor një fabrikë e tërë prodhimi.>

<Dhe për 1000 kilometra duhen 64 megavat18.> shtoi Kamaranda. <Do të nevojitej një çentral i vogël elektrik.>

<Ja përse sistemi shkëmben sikur të mos qe asgjë për largësi të vogla. Për 300 metra nga këtu në zyrën e profesoreshë Bryce janë përdorur pra... vetëm 2 milivat.> llogariti rrëmbimthi Drew duke shkruar në dërrasë. <Më pak nga sa duhet për të ndezur një LED.>

<Kjo karakteristikë është fantastike për zbatimet në largësi të afërta, që mund të jenë ato diagnostikuese ose terapeutike.> ndërhyri Bryce.

<Po.> miratoi Drew. <Por largësitë e gjata janë jashtë rrezes. Mendo të eksplorosh universin.>

Psherëtiu, duke i ulur krahët poshtë anësive. McKintock do kishte qenë i kënaqur gjithsesi, sepse edhe vetëm mjekimi i njerëzve do t’i kishte sjellë lumenj parash, po ai ishte një fizikant, dhe kolegët e tij i kishin hapur fillimisht dyert e gjithë universit. Tashmë kishte hyrë në perspektivën e eksplorimeve të paimagjinueshme, dhe tani po gozhdohej në tokë.

Nuk arrinte ta përtypte. Duhet të kishte një zgjidhje tjetër.

<Jemi vetëm në fillim.> deklaroi. <Po të punojmë shumë, ndoshta do të gjejmë ndonjë faktor që e heq këtë kufizim.>

<Po e bëjmë tashmë.> tha Novak me zë të thatë.

Bryce vure re që norvegjezja atë ditë kishte veshur një këmishë me mëngë të gjata, me kyçet të kopsitura me kujdes.

‘Çudi.’ mendoi. ‘Dje ishte me mëngë të shkurtra. E mësuar me klimë të ftohtë, Anglia e marsit duhet të jetë e nxehtë, për të. Kushedi pse ka ndryshuar.’ Një grua nuk mund të mos i dallonte këto veçanti.

Maoko ndërkaq vëzhgonte e ngeshme dërrasën, me krahë të kryqëzuara.

Kobayashi po studionte për të sajtën herë dispensën, dhe ndërkaq kontrollonte ndonjë llogaritje duke e zhvilluar në një fletë.

<Dhe nëse ndërkaq që thellojmë teorinë të eksperimentonim me format biologjike?> propozoi Marron.

Drew pa profesoreshën Bryce.

<Fillojmë me bimët.> pohoi ajo. <Do të siguroj mostra.> dhe u largua.

<Ndërkaq po shkoj të marr hua një mjet më të saktë mikrometri. Duhet të kalibrojmë makinerinë e dytë.> tha Drew duke iu drejtuar laboratorit të metrologjisë.

Marron filloi të përgatiste makinerinë e parë, ndërsa dy japonezët po merreshin me të dytën. Bisedonin në gjuhën e tyre mbi disa detaje teknike, ndërkaq që prisnin mjetin e ri matës.

Një gjysmë ore më vonë Bryce po vendoste mbi pllakën A të makinerisë së parë një gjethe sallate jeshile.

E aktivizuan dhe gjethja u shfaq atje ku ishte më parë kana e ujit. Biologia e morri dhe e ekzaminoi me një mikroskop portativ që kishte sjellë më vete. Pas disa minutash ngriti sytë nga okularët.

<Duket perfekte. Venat, gojëzat, qelizat. Për sa mund të shikoj, duket gjithçka në rregull.>

 

Drew pohoi me kokë i kënaqur.

Provuan me lulet, zhardhokët, një kërpudhë dhe një bonsai të vogël megjithë vazo.

Çdo mostër shfaqej në mënyrë absolute e pandryshuar, pas transferimit.

Në të njëjtën kohë Maoko kishte kalibruar gap-in e makinerisë së dytë duke përdorur mjetin matës më të saktë.

Vendosën një fasule mbi pllakën e makinerisë dy dhe e aktivizuan. Fasulja u rishfaq rreth tre metra në të majtë të kanës së ujit, largësinë e saktë që ndodhej midis dy makinerive.

Bryce ekzaminoi menjëherë kokrën dhe e gjykoi si perfekte.

<Kalojmë tek mishi.> njoftoi.

E kishte sjellë tashmë.

Nga një çantë izolimi termik nxorri një kuti me biftekë.

Marron i pa me lakmi: kishte uri tashmë, në njëmbëdhjetë të mëngjesit.

Profesoreshë Bryce e pa me një buzëqeshje dhe i dha çantën e zbrazët, ta varte. Studenti shkeli syrin, duke i qëndruar shakasë dhe duke u shtirur si i zhgënjyer.

Bryce morri një thikë nga këndi i freskimit të laboratorit dhe preu një copë katrore nga bifteku, me brinjë afërsisht katër centimetra. Trashësia ishte rreth tetë milimetra.

E transferuan me makinerinë dy dhe testimi mikroskopik tregoi që ishte në rregull.

Marron e provoi.

<Shija ishte ajo që pritej. Po ashtu edhe përbërja.> Do të thoja që transferimi nuk e ndryshon aspak.

<Pikërisht kjo duhet të ndodhë, pasi teoria thotë që makineria shkëmben drejpërsëdrejti dy vëllime në hapësirë pavarësisht përmbajtjes së tyre.> komentoi Drew. <Si thoni, e provojmë me një formë kafshe?> pyeti Bryce.

Profesoresha mbeti e menduar për pak, pastaj vendosi.

<Po, e provojmë. Do na duhet të kryejmë analiza të biologjisë molekulare mbi mostrat që kemi transferuar, për të qenë plotësisht të sigurtë, por deri tani rezultatet e marra vërtetojnë teorinë e shkëmbimit në hapësirë.>

Reflektoi edhe për një çast.

<Për çështje të bioetikës do të fillojmë me forma jete të privuara nga sistemi nervor. Nëse diçka shkon keq të paktën nuk do vuajnë. Takohemi pas drekës.> dhe u largua.

Drew dhe të tjerët u përqëndruan tek teoria, në kërkim të një zgjidhjeje të problemit të fuqisë.

<Diçka po na shpëton.> tha Schultz. <Nga sa kemi kuptuar deri tani, aktivizimi i makinerisë krijon një Lidhës ndërdimensional midis vëllimeve në hapësirë drejtuar nga pllakat A dhe B. Lidhësi mbahet për kohën e Plankut19 dhe ndërkohë dy hapësirat shkëmbehen.>

<Nëse është vërtet ndërdimensionale atëherë po shtrembërojmë një dimension shumë të dendur.> ndërhyri Kobayashi. <Vetëm kështu justifikohet një nevojë fuqie kaq e lartë me rritjen e largësisë.>

<Kështu duket.> ndërhyri Schultz.

<Të përpiqemi ta bëjmë të dukshme gjënë, ndoshta na ndihmon.> ndërhyri Kamaranda. Filloi pastaj me ton pedagogjik, sikur po iu mbante një leksion studentëve të tij. <Ne të gjithë jetojmë në një hapësirë që e perceptojmë si tredimensionale, me përmasat e njohura të gjatësisë, gjerësisë dhe lartësisë. Por dimë që graviteti e ndryshon hapësirën, dhe kjo tashmë na vë në vështirësi sepse nuk arrijmë ta konceptojmë një situatë të tillë. Pra përdorim krahasimin klasik të tapetit elastik, në të cilën një sipërfaqe elastike, tapeti, përfaqëson hapësirën tredimensionale. Nëse vendosim një objekt mbi tapet ky do të deformohet, duke u përkulur nën peshën e vetë objektit. Sa më i rëndë të jetë objekti aq më i madh do jetë deformimi, domethënë përkulja e tapetit. Në vend të peshës të themi masa, që është e pavarur nga graviteti por edhe gjeneron gravitet. Kështu shohim që sa më e madhe është masa aq më i madh deformimi. Nëse do vendosnim mbi tapet një objekt të dytë, me masë më të vogël se i pari, ai do të rrokullisej në deformim, duke iu afruar kështu objektit me masë më të madhe. Këtë sjellje e përkufizojmë si tërheqje gravitacionale. Në të vërtetë edhe objekti me masë më të vogël e deformon hapësirën, pra ushtron një tërheqje gravitacionale ndaj objektit më masiv, edhe pse në masë më të vogël. Me analogjinë e tapetit elastik, që është dydimensional, arrijmë të kuptojmë konceptin e ndryshimit të hapësirës nga graviteti; ajo, në fakt, deformon tapetin në një drejtim pingul me shtresën e tapetit, duke i shtuar në fakt një përmasë gjeometrisë së tij. Të hamendësojmë, tani, sikur marrim tapetin tonë elastik dhe ta vendosim mbi një fletë xheli, që siç e dimë është një koloidal i fortë elastik, i deformueshëm sipas dëshirës. Makineria që po eksperimentojmë ekziston në hapësirën tredimensionale, që është e përfaqësuar nga tapeti elastik, dhe mesa duket kur aktivizohet hyn drejtpërsëdrejti tek fleta e xhelit, që përfaqëson një përmasë shtesë; kondeson, deformon një pjesë të xhelit, duke gjeneruar një kanal, Lidhësin, që në ekstremitetet e tij ngjitet pas tapetit elastik, hapësirës normale, dhe shkëmben midis tyre pjesët e hapësirës me të cilat lidhet. Pas shkëmbimit Lidhësi shpërbëhet dhe xheli kthehet në gjendjen e tij normale.>

Kamaranda bëri një pushim pas një ekspozimi të gjatë, pastaj vijoi me arsyetimin e tij.

<Sigurisht xheli është shumë i dendur, ndaj nevojitet shumë energji për ta kondensuar. Për ndonjë arsye që nuk e dimë, Lidhësi qëndron vetëm gjatë kohës së Plankut, edhe nëse administrimi i energjisë është shumë herë më i gjatë sesa ajo kohë. E mbajmë për gjysmë sekonde, vërtet?> pyeti duke iu drejtuar Kobayashit, që pohoi.

<Duhet të ketë diçka që pengon ekzistencën e Lidhësit për një zgjatje kohe më të lartë se koha e Plankut. Nëse do të zgjatej më shumë, ç’farë do të ndodhte? Ndoshta të dy hapësirat e shkëmbyera do të rishkëmbeheshin përsëri? Do të shkaktohej një luhatje e vazhdueshme shkëmbimi midis dy hapësirave? Nuk e shikoj këtë si një problem për gjeometrinë e hapësirës. Thjesht, duke çaktivizuar makinerinë dy hapësirat do gjendeshin në konfigurimin e fundit të arritur. Por, edhe mund të ndodhë, që nëse Lidhësi do zgjaste më shumë sesa koha e Plankut, të manifestohet një paradoks, karakteristikat e të cilit për momentin nuk arrij t’i imagjinoj, dhe një ligj natyre për momentin i panjohur të ndërhyjë për ta penguar.>

Qëndruan të gjithë të heshtur duke medituar mbi konsideratat e matematikanit indian.

Pas disa minutave Novak u ngrit në këmbë papritur, e zbehtë në fytyrë.

<Oh Zot!> bërtiti me një mbytës.

Të gjithë e panë të trembur.

<Nuk ka asnjë paradoks.> vazhdoi e shqetësuar. <Ka një dhunim, në vend të kësaj!>

Shkoi tek dërrasa e zezë dhe fshiu një pjesë të ekuacioneve që me aq mund i gjetën, sikur të ishin zhgarravina të ndonjë studenti të paedukuar. Vizatoi tapetin elastik të Kamaranda-ës, me pamje tre të katërtat, dhe një tub të stilizuar që duke kaluar nga poshtë bashkonte dy pika të tapetit.

<Ky është Lidhësi, siç e kemi quajtur ne.> tregoi tubin. <Sapo është gjeneruar dhe shkëmbimi ka filluar. Jemi në kohën zero të proçesit. Vëllimi i hapësirës A niset dhe hyn tek Lidhësi, sesi dhe në ç’farë forme ne nuk e dimë akoma, dhe fillon të udhëtojë drejt ekstremit të kundërt. Në të njëjtën kohë, vëllimi i hapësirës B bën të njëjtën gjë nga ana e tij dhe fillon të udhëtojë drejt daljes së kundërt të Lidhësit. Kalon koha e Plankut dhe dy hapësirat arrijnë në destinacion, dalin nga Lidhësi dhe pozicionohen secila atje ku më parë ishte hapësira tjetër. Jemi në kohën një dhe proçesi ka mbaruar.>

Bëri një pushim me efekt.

<Por midis kohës zero dhe kohës një,> tha me një zë që rriste trashësinë, <ç’farë ka në vend të hapësirave që po udhëtojnë në Lidhës?> përfundoi me një britmë histerike.

Për një çast, koha duket se ka ndaluar.

<Jo...> tha Kamaranda me shikimin e zbrazët.

<Ja që, po!> bërtiti ajo akoma më fort. <Eshtë Hiçi!> njoftoi ashpër.

Drew -së iu ngritën flokët përpjetë.

Kobayashi hapi gojën dhe nofulla i ra poshtë.

Fytyra e Schultzit ishte një maskë e ngurtë, e gdhendur në një shprehje humbjeje absolute.

Marron shikonte drejt përpara vetes, sikur të mos qe atje.

Ndërsa, Maoko, vëzhgonte e kënaqur Novak-un dhe kishte një buzëqeshje të vogël të çuditshme.

<Hiçi, kuptoni?> vazhdoi norvegjezja. <Dhe me siguri pikërisht atje shkon e mbaron gjithë energjia që rezulton nga llogaritjet, energjia që del nga universi ynë duke ndryshuar bilancin energjitik. Është një dhunim i postulatit të Lavoisier, sipas të cilit asgjë nuk krijohet dhe asgjë nuk shkatërrohet, por gjithçka transformohet. Dhe ndoshta prandaj Lidhësi mund të zgjasë maksimuni për kohën e Plankut, sepse përndryshe Hiçi do të thithte gjithë energjinë që ka përreth. Po t’i jepnim mjaftueshëm kohë, ndoshta do të merrte energjinë e të gjithë universit!>